Maqedoni
Buçkovski: Vazhdon vizitën disaditore në Sofje
13.01.2021 15:36
I dërguari special i RMV-së, Vllado Buçkovski, vazhdon vizitën në Bullgari ku ka realizuar takim me figura...

I dërguari special i RMV-së, Vllado Buçkovski, vazhdon vizitën në Bullgari ku ka realizuar takim me figura të shquara të kulturës në shtetin fqinj. Siç njoftohet në takim, bashkëbiseduesit janë dakorduar se zhvillimi i marrëdhënieve kulturore- artistike mes të dyja shteteve po zhvillohet në drejtim të mirë, por se nevojitet pasurim me projekte konkrete dhe intensifikim të takimeve mes personaliteteve nga sfera e artit dhe kulturës.
Gjithashtu është theksuar se përmes sferës së kulturës dhe kontakteve do të mund të pritet më së shumti pozitivistet në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
Mickovski: Të publikohet dokumenti me 12 pika.
Por, kryetari i partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski, i bën thirrje Qeverisë që të publikojë dokumentin me 12 pika që po diskutohet me Bullgarinë dhe të paraqitet për diskutim në Parlament. Ai thotë se ka ardhur koha të dilet para opinionin dhe të hapen të gjitha kartat, pasi që populli nuk i ka votuar që të luajnë me ardhmërinë dhe identitetin maqedonas.
“E ftojmë Qeverinë, Zoran Zaevin, Bujar Osmanin dhe Nikolla Dimitrovin, ta tregojnë dokumentin me 12 pika. Opinioni maqedonas nuk i votoi në ato zgjedhje mafioze të vjedhura më 15 korrik që ata të luajnë me të ardhmen e qytetarëve dhe të ardhmen e identitetit maqedonas. Ky vend ka nevojë për pushtet konstruktiv dhe për këtë unë i ftoj ata që menjëherë të dalin me dokumentin dhe ta tregojnë atë, të inkurajohen për debat në Kuvend të organizuar nga deputeti Milososki dhe të paraqiten për të diskutuar para deputetëve dhe opinionit.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Zaharieva: Nuk ka sekrete në takimet me Buçkovskin
Ministrja e Punëve të Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, për “BTV” ka deklaruar se nuk ka asgjë sekrete nga takimi me të dërguarin special të qeverisë së RMV-së për bisedime me Bullgarinë, Vllado Buçkovski, duke shtuar se qeveria bullgare mbetet e hapur dhe lëviz brenda kornizës së Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Por, ajo vlerëson se është absolutisht e gabuar që Shkupi të presë se pas zgjedhjeve në Bullgari, mund të zgjidhen mosmarrëveshjet.
“Ideja që diçka do të ndryshojë pas zgjedhjeve në vendin tonë është e gabuar. Në vend të kësaj, nëse diçka ndryshon, do të jetë më keq.”,- tha Zaharieva.
Si shoqëria bullgare ashtu edhe partitë bullgare kanë pikëpamje shumë të ngjashme për këtë çështje, thotë shefja e diplomacisë bullgare.
Hollshtajn: RMV këtë vit të nis bisedimet me BE-në
Nga ana tjetër, ambasadorja gjermane, Anke Hollshtajn, thotë se nuk ka një plan B për anëtarësimin e vendit në BE, pasi që siç thotë vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe është optimiste se gjatë këtij viti do të mund të nis negociatat për anëtarësim në BE.
“Sikurse më herët, edhe më tej nuk kemi plan “B”, ajo që mbetet është hapja e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, vazhdimi i negociatave, nuk ka alternativë tjetër sepse janë përmbushur të gjitha kushtet nga ana e Maqedonisë së Veriut. Deri në minutën e fundit të kryesimit tonë me Bashkimin Evropian, kemi bërë përpjekje që të arrijmë pajtueshmëri me të gjitha 27 vendet e BE-së, por arritën pajtueshmëri vetëm me 26 prej tyre. Në kuadër të kryesimit të Portugalisë dhe Sllovenisë do të vazhdojmë të punojmë me qëllim të hapjes së negociatave për anëtarësim.”,- u shpreh ambasadorja e Gjermanisë në RVM, Anke Hollshtajn.
Sipas ambasadores gjermane, gjatë javëve të ardhshme është shumë e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në ato fusha dhe segmente ku nuk ka dallime.
SANIJE DURAKU
