Maqedoni
Filipçe: Numri i Kovid pacientëve po ulet vazhdimisht. Në barnatoret e vendit arriti ilaçi Ivermektin
13.01.2021 16:00
Gjendja me virusin Korona është stabile, thotë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe...

Sipas tij, numri i pacientëve në spitale po ulet vazhdimisht. Aktualisht në tërë vendin në trajtim spitalor janë gjithsej 725 Kovid pacientë, prej të cilëve 315 në Kovid qendrat në Shkup, ndërsa 410 në qytetet tjera të vendit.
“Spitalet në vend janë gjysmë të zbrazura. Spitali modular në Shkup është zbrazur plotësisht, tanimë edhe një pjesë e klinikave interne do të funksionojnë normal.”,- tha ministri i shëndetësi, Venko Filipçe.
Prej të martën në vend ka arritur ilaçi Ivermektin për trajtimin e pacientëve me Covid-19, ka bërë të ditur ministri. Ilaçi do të jetë në të gjitha barnatoret dhe do të merret me rekomandim të mjekut amë.
“Sasi shtesë do të vijnë në ditët në vijim. Nuk është ilaç që është magjik për Kovid, por si çdo ilaç ka indikacione te një grup i caktuar i pacientëve, prandaj është me rëndësi të merret vetëm me rekomandim të pjekut qoftë nga mjeku amë apo në spital, pasi ka moment të definuara saktë dhe indikacione kur këtë ilaç duhet ta marrin pacientët.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministria e Shëndetësisë njofton se kolegjiumi i ekspertëve, Instituti i Shëndetit Publik, Klinika Universitare për Pulmologji dhe Alergjiologji dhe COVID qendrat pranë bllokut internistik, kanë përgatitur mendimin për përdorimin e ilaçit Ivermektin tek pacientët me COVID-19.
Protokolli përmes Odës së Mjekëve të martën u është dërguar mjekëve amë. Deri në fund të javës Oda e Mjekëve do të organizojë ligjëratë-online për mjekët amë që të sqarohen protokollet, kurse javën e ardhshme Oda e Mjekëve do të organizojë online – diskutim me mjekët klinik për përdorimin e ilaçit.
Ivermektini nuk është në listën pozitive të ilaçeve që bien në ngarkesë të Fondit Shëndetësor. Konform vendimit të MALMED-IT i njëjti jepet vetëm me recetë dhe zbatohen dispozitat për dhënien e recetës rozë.
GYLTENE SINANI
