Maqedoni

Pr/ligji për regjistrim të popullsisë, Micevski: Ndryshimet janë kozmetike

13.01.2021 16:42

Opozita parlamentare e pakënaqur nga versioni i ri i propozim ligjit për regjistrim të popullsisë...

Opozita parlamentare e pakënaqur nga versioni i ri i propozim ligjit për regjistrim të popullsisë dhe amvisërive pasi sipas tyre nuk janë pranuar amendamentet e tyre.
 
Nga kjo parti kanë kërkuar që Projekt-ligji për regjistrimin e popullsisë të tërhiqet menjëherë nga debati parlamentar dhe që shumica qeveritare të organizojë debat brenda-partiak dhe brenda-shtetëror me të gjithë faktorët shoqëror, me qëllim që të gjendet një zgjidhje konsensuale se si të zhvillohet ky operacion statistikor, në të kundërtën nuk do t’i respektojnë rezultatet e tij pasi të vijnë në pushtet. 
 
Deputetët e VMRO – DPMNE-së duke i quajtur ndryshimet kozmetike pretendojnë se 26 amendamentet e tyre do të kontribuonin për një regjistrim real dhe të pranuar nga të gjithë.
 
“Nuk pranuat kërkesën kryesore të VMRO – DPMNE – së që gjatë regjistrimit të shfrytëzohen lexues të të dhënave të gishtërinjve, me arsyetimin se bëhet fjalë për investim të shtrenjtë dhe nevojitet kohë. Harroni se kjo parashikohet në kodin zgjedhor.”,- tha deputeti i VMRO – DPMNE – së, Nikolla Micevski.
 
Ademi: Regjistrimi i qytetarëve jashtë vendit, i patjetërsueshëm
 
Deputeti I BDI-së Arbër Ademi kundërshtoi idenë e VMRO – DPMNE-së duke theksuar nevojën e patjetërsueshme të regjistrimit të qytetarëve që veprojnë përkohësisht jashtë vendit.
 
“Si do t’u merren vijat papilare apo gjurmët e gishtërinjve personave të cilët mungojnë në momentin e regjistrimit, por që janë shtetas të këtij vendi. Nuk ka shembull në ndonjë vend tjetër që merren gjurmët e gishtërinjve të personave të cilët janë objekt i regjistrimit.”,- theksoi deputeti i BDI – së, Arbër Ademi.
 
Snopçe: Komisioni mbikëqyrës siguron transparencë
 
Opozita shqiptare për transparencë më të madhe ripërsëriti nevojën e komisionit mbikëqyrës të regjistrimit.
“Po, komision shtetëror të regjistrimit kemi kërkuar se mund të jetë organi i vetëm shtetëror që do të bëjë mbikëqyrjen ndaj regjistrimit. Pa mbikëqyrje të procesit të regjistrimit, procesi është dyshues.”,- tha deputeti i ASh–së, Halil Snopçe.
 
Nuhiu: Parashikon transparencë dhe heq dyshimet
 
Zëvendës ministri i drejtësisë Agim Nuhiu siguroi për transparencë që parashikohet në versionin e fundit të propozim ligjit duke i vënë theks të veçantë nënshkrimit të lidhur midis drejtorit dhe zëvendës drejtorit të Entit të Statistikës. Kjo u kritikua nga deputetja e VMRO – DPMNE-së Siljanovska.
 
“Me këtë përcaktim rritet objektiviteti, transparenca, kolegjialiteti i punës në entin shtetëror për statistikë dhe flaken çdo dyshim, paragjykim për hile, fabrikim, majorizim edhe mbi baza etnike.”,- theksoi zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu.
 
Siljanovska: Nënshkrimi i lidhur, antikushtetues
 
“Nebulozë juridike, zëvendësit nuk kanë autorizime personale, kjo nuk ka lidhje me drejtësi. Kjo është antikushtetuese, jashtë kufijve të drejtësisë. Dihet se kush sjell vendime.”,- tha deputetja e VMRO – DPMNE – së, Gordana Siljanovska.
 
Reaguan deputetët e BDI-së duke thënë se nënshkrimi i lidhur është paraparë me Marrëveshjen e Përzhinës. Versioni i fundit të propozim ligjit për regjistrim parashikon 50 rajone regjistrimi, përfaqësim të drejtë dhe adekuat të regjistruesve nga të gjitha etnikë, si dhe janë saktësuar të dhënat etnike.  Regjistrimi duhet të realizohet nga 1 deri më 21 prill.
 
MERAL ISMAILI