Maqedoni
N.P. komunale - Strugë: Problemi me rrogat e punonjësve dhe problemi i deponive të egra është zgjidhur
13.01.2021 17:39
Ndërmarrja publike komunale vitin e kaluar u përball me probleme të rrogave të punëtorëve...

Ndërmarrja publike komunale vitin e kaluar u përball me probleme të rrogave të punëtorëve, ku kishte vonesa për muaj të tërë. Por, nga ndërmarrja lajmërojnë se ai problem tashmë ka disa muaj që është zgjidhur.
Një nga problemet tjera që ishte në kompetencat e komunales në Strugë ishte edhe problemi me deponitë e egra, problem që ka qenë i pranishëm për vite me radhë. Drejtori i Ndërmarrjes Komunale, Iqmet Islami, për TVM2 tha se 70 për qind e problemit me deponitë e egra poashtu është zgjidhur.
“Problemi me rrogat është dukshëm i zgjidhur ku kemi insistuar në të gjithë format për të bërë grumbullimin e mjeteve të ndërmarrjes. I gjithë qyteti ka qenë i mbushur me deponi të egra dhe kemi marrë masa të menjëhershme në brendi të qytetit dhe pastaj kemi vazhduar në zonat periferike të qytetit ku kemi bërë gati 70 përqind eliminimin e atyre deponive.”,- deklaroi drejtori i N. P. komunale – Strugë, Iqmet Islami.
Një nga aktivitetet e ndërmarrjes publike komunale ka qenë edhe vendosja e shportave metalike, ku janë vendosur rreth 150 shporta në qytet. Nga ndërmarrja thonë se me vendosjen e shportave metalike është rritur higjiena në qytet, megjithatë ata thonë se ka pasur shumë dëmtime të shportave, por nuk dihet se nga kush apo arsyet.
“Ka lloj-lloj njerëzish të papërgjegjshëm që merren me ato punë por ne nuk merremi me atë se kush i bën por detyra jonë është që ne t’i zëvendësojmë ato me të reja”,- u shpreh drejtori i N. P. komunale – Strugë, Iqmet Islami.
Nga ndërmarrja publike komunale gjithashtu lajmëruan se gjatë kësaj periudhe do të vazhdojë edhe larja dhe dezinfektimi i rrugëve, tregut të gjelbër si dhe pjesëve më të frekuentuara të qytetit.
ILMIJE ZHAKU
