Ekonomi

OEMVP: Pakoja e pestë të sigurojë likuiditet te kompanitë

13.01.2021 15:12

Përmes pakos së pestë të masave anti-krizë do të synohet sigurimi i likuiditetit të kompanive që të mund t’i mbijetojnë krizës...

Përmes pakos së pestë të masave anti-krizë do të synohet sigurimi i likuiditetit të kompanive që të mund t’i mbijetojnë krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19. Me këtë dhe një sërë kërkesash tjera do t’i drejtojë qeverisë Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
 
Nga kjo odë vlerësojnë se për të rikthyer ekonominë në trajektoren normale, Qeveria në periudhën vijuese duhet të përqendrohet në imunizimin e sa më të shpejtë të qytetarëve në mënyrë që edhe hapja e ekonomisë të jetë sa më e shpejtë.
 
“Të bëhet hapja e sektorëve të mbyllur pjesërisht dhe të sillëen protokollet në përputhshmëri me rekomandimet shëndetësore të OBSh-së, vazhdim i masës për subvencionim të pagave në vlerë prej 14.500 denarë së paku deri në muajin mars 2021. Rritje e fondit të Bankës Zhvillimore të RMV-së për kreditë me norma të ulëta të interesit; Importi i lëndëve të para të bëhet me 0% akcizë për kompanitë që prodhojnë; Të ndahen mjete financiare për kompanitë që investojnë në digjitalizim dhe rritje të kapaciteteve teknologjike; Anulimi i tatimit të fitimit deri në vitin 2022 për kompanitë të cilat janë prekur më së shumti nga pandemia; Të anulohen të gjitha vendimet për suspendim dhe moratorium të planeve urbanistike nëpër komunat ku pengohen projektet e investimeve ndërtimore, të cilat arrijnë vlerë deri mbi 500 milion euro.”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Nga OEMVP gjithashtu i kërkuan qeverisë realizimin e investimeve kapitale në normë prej minimum 85% në mënyrë që të stimulohet aktiviteti ekonomik, themelimi i një fondi të veçantë për kompanitë e sektorëve më të goditur, siç janë: industria prodhuese, ndërtimtaria, tregtia me shumicë, ulja e tarifave doganore dhe të tjera lehtësime - përkrahje të përgjithshme të ekonomisë.
 
ZEKIRJA MEXHITI