Maqedoni
Aziri: I qartë është Ligji për Shtetësinë. Detyrë e BDI-së ta mbështesë ligjin
13.01.2021 18:45
Opozita shqiptare e di mirë se çfarë kërkon me projektligjin për shtetësi...

Opozita shqiptare e di mirë se çfarë kërkon me projektligjin për shtetësi, kërkon të drejtën themelore të çdo njeriu për shtetësi. Kështu i kundërpërgjigjet deputeti i ASH-së, Ilmi Aziri, ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, i cili ditë më parë ka deklaruar se opozita shqiptare nuk di se çfarë kërkon sa i përket Ligjit për Shtetësi.
“Ne kërkojmë të drejtën themelore të çdo njeriu për shtetësi, ndërsa ju po udhëhiqni një fushatë anti të drejtave të njeriut si duket të trashëguar nga sistemi i kaluar. Ne duam të heqim definicionet shovene që ekzistojnë në ligjin ekzistues siç është p.sh me përjashtim të vendit amë, sepse për ne Maqedonia është i të gjitha bashkësive etnike të saj ndërsa për ju vetëm i një bashkësie etnike.”,- tha Elmi Aziri nga ASh.
Ndërkohë, Aziri ftoi BDI të jetë e qartë me qëndrimin në lidhje me propozim ligjin për shtetësi.
“Bashkimi Demokratik për Integrim gjithmonë ka pasur problem me qëndrimet dhe gjithnjë është marrë me një dozë të theksuar të ambiguitetit gjatë qëndrimeve të tyre. BDI sot është pjesë e Qeverisë dhe ata duhet të flasin në emër të Qeverisë dhe jo të manipulojnë me opinionin se gjoja e përkrahin ligjin si parti politike, ndërsa si qeveri do të shohim çka bëjmë.”,- u shpreh Aziri.
Nga BDI kanë deklaruar se do të mbështesin propozimin e opozitës shqiptare, por e kanë kritikuar të njëjtën për mos koordinim paraprak të propozim ligjit.
NAIM RAMADANI
