Botë

Trump shpërfill shkarkimin, bën thirrje për shmangie të dhunës

14.01.2021 12:18

Pak minuta pasi hyri në histori si i vetmi president ndaj të cilit nisën dy herë procedurat për shkarkim, Donald Trump...

Pak minuta pasi hyri në histori si i vetmi president ndaj të cilit nisën dy herë procedurat për shkarkim, Donald Trump publikoi një videomesazh në llogarinë e Shtëpisë së Bardhë në Facebook, pasi ato personale i janë bllokuar.
 
Presidenti nuk e përmendi fare votimin kundër tij, por bëri thirrje për paqe dhe qetësi gjatë javës së fundit të tij në pushtet para se t’i lërë vendin Joe Biden-it.
 
“Dhuna bie ndesh me gjithçka përfaqëson lëvizja jonë. Asnjë mbështetës i vërtetë i imi nuk mund të pranonte kurrë dhunën politike, apo të mos respektonte flamurin amerikan dhe efektivët e forcave të zbatimit të ligjit”, tha Trump.
 
Presidenti gjithashtu komentoi mbi mbylljen e llogarive të tij në disa platforma, si Facebook, Twitter dhe YouTube, duke i quajtur veprimet e tyre “një sulm të paprecedentë kundër fjalës së lirë”.
 
Shkarkimi i Trump, Pelosi: Askush mbi ligjin, e firmos me trishtim dhe zemër të thyer
 
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve foli shkurt për gazetarët para se zyrtarisht të firmoste dokumentin që nis procedurat për shkarkimin e presidentit Donald Trump.
 
“Sot, vërtetuam që askush nuk është mbi ligjin, as Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Donald Trump është një rrezik i qartë për vendin tonë”, tha Pelosi.
 
“Tani, me trishtim dhe zemërthyer për atë çka kjo do të thotë për vendin tonë, po firmos akuzën për shkarkim”.
 
Trump bëhet i vetmi president ndaj të cilit nisin dy herë procedurat për shkarkim
   
Përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve kanë vendosur të akuzojnë formalisht presidentin Donald Trump, për trazirat në selinë e Parlamentit, në kryeqytetin Uashington, ku humbën jetën disa persona.
 
Një vendim historik, ku 222 përfaqësuesve demokratë u janë bashkuar 10 republikanë, duke tejkaluar kuorumin e 217 përfaqësuesve që nevojiteshin, dhe arritur 232 votat.
 
Akuza është një e vetme, “nxitje e një kryengritjeje”. Është hera  e parë  që një president amerikan përfundon në një procedurë të tillë si impeachment, dy herë në një mandat.
 
Për një akuzë formale të Kongresit, që do të çonte në shkarkimin e presidentit, akuza duhet të votohet edhe në Senat, dhe këtu gjerat komplikohen.
 
Me shumë pak gjasa kreu i Senatit, republikani Mitch Mc Connell do të pranojë të përshpejtojë procedurat, dhe kjo do të thotë që Trump mund të përfundojë me shumë  gjasa mandatin e tij si president, dhe akuza formale dhe e paprecedentë mund të vij vetëm në ditët e para të presidentit demokrat Joe Biden.  
 
Në shkurtin e vitit të kaluar, Senati amerikan votoi kundër shkarkimit të presidentit Donald Trump për akuzat e abuzimit me pushtetit dhe atë të pengimit të punës së Kongresit. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve e kishin akuzuan presidentin se kishte ushtruar presion ndaj Ukrainës, për të hetuar ish zv.presidentin Biden dhe djalin e tij.