Botë
Protesta kundër presidentit çek
17.11.2014 12:04
Në Pragë, disa persona kanë paralajmëruar protesta kundër presidentit çek, Milos Zeman, në ditën kur shënohet 25 vjetori i rënies së komunizmit në këtë vend...

Presidenti çek ka zemëruar shumë persona lidhur me kritikat e tij ndaj Perëndimit që ka sanksionuar Rusinë, si dhe për pikëpamjet e tij gjenerale pro-ruse.
Një paralajmërim i tillë vjen sot kur Republika e Çekisë shënon 25 vjetorin e rënies së komunizmit, i njohur si “Revolucioni i Kadifenjtë”.
Më 17 nëntor 1989, një protestë studentore në Pragë, e cila u shpërnda me dhunë nga policia, shkaktoi rënien e komunizmit në atë që atëherë ishte Çekosllovaki.
Në kuadër të festimeve, kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, do të shkojë në Uashington, ku do të zbulojë një bust në Kongresin amerikan të Vaclav Havel, ish-disidenti dhe presidenti çek, që udhëhoqi protestat kundër sundimit komunist.
Havel ka vdekur në vitin 2011, në moshën 75 vjeçare. Ai njihet si “simbol i epokës së re të shtetit çek”.
