Botë
OBSh: Ekspertët ndërkombëtarë në Wuhan po hulumtojnë mbi origjinën e Covid-19
15.01.2021 13:02
Një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka mbërritur në qytetin kinez të Vuhan për të filluar hetimin e saj mbi origjinën e COVID-19....

Një hetim i udhëhequr nga OBSh për origjinën e COVID-19 filloi me takime virtuale midis një ekipi shkencëtarësh ndërkombëtarë dhe nikoqirëve të tyre kinezë në qytetin e Wuhanit. Virusi u zbulua për herë të parë në Wuhan në fund të vitit 2019 dhe hetuesit më në fund arritën pas disa muaj negociatash midis OBSh-së dhe Pekinit. Ministri për punë të jashtme, Zhao Lijan, tha se Paneli i shkencëtarëve arriti në qytetin qendror kinez të Wuhan të enjten për të bashkëpunuar në hulumtimin mbi origjinën e virusit Korona.
“Paneli i ekspertëve ndërkombëtarë do të karantinoret me mbërritjen e tyre në Wuhan. Gjatë periudhës së karantinës, shkencëtarët kinezë, mjekët dhe ekspertët do të kryejnë shkëmbime të thelluara me panelin ndërkombëtar përmes lidhjes video. Lidhur me detajet, unë mendoj se ata së pari do të përfundojnë vizitën e tyre në Wuhan përpara se të bëjnë udhëtime të tjera.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Zhao Lijan.
Ndërkohë në Turqi ka filluar përdorimi i vaksinës kineze Sinovac ku një ndër të parët që është vaksinuar është presidenti Rexhep Taip Erdogan. Në Twitter, Erdogan tha se është planifikuar injektimi i 30 milionë dozave të kësaj vaksine si pjesë e imunizimit masiv kundër COVID-19, ndërsa brenda dy ditësh janë vaksinuar 500 mijë njerëz. Autoritetet turke thonë se presin po ashtu edhe një sasi dozash nga firma turko-gjermane BioNTech dhe partneri i tyre amerikan Pfizer.
Ndërkohë, Instituti norvegjez i Shëndetit Publik ka njoftuar se Kompania Pfajzer përkohësisht do t’i zvogëlojë dërgesat e vaksinave anti Kovid në Evropë, pasi synon të rrisë kapacitetet e saja prodhuese nga 1,3 në dy miliard doza të vaksinave në vit.
OBSh ka bërë të ditur se 95% e vaksinave deri tani janë marrë vetëm nga 10 vende në botë. Imunizimi shihet si mundësi e vetme për t’i dhënë fund pandemisë me virusin Korona, nga i cili deri tani janë prekur mbi 93 milion njerëz, prej të cilëve rreth dy milion kanë vdekur.
REJHANE BUSHI METAJ
