Maqedoni

MPJ e Bullgarisë, notë verbale MPJ-së të RMV-së pas djegies së flamurit

15.01.2021 13:24

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka dërguar notë verbale te Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut...

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka dërguar notë verbale te Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut pas djegies së flamurit bullgar në karnavalin e Vevçanit. Ministria e Jashtme bullgare këtë e quan akt vandalizmi. 

"Pas njoftimeve në media në lidhje me djegien e flamurit bullgar në Vevçan në Republikën e Maqedonisë së Veriut, udhëzova ambasadorin bullgar në Shkup, Angel Angelov, t'i shprehë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pakënaqësinë tonë të fortë për këtë akt vandalizmi. Ambasadori Angelov tashmë i ka dërguar një notë të mprehtë verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.”-, ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në një postim në facebook.
 
MPJ e RMV-së dhe presidenti Pendarovski: Djegia e flamurit bullgar, e papranueshme
 
Aktin e djegies së flamurit bullgar e kanë dënuar edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut dhe presidenti, Stevo Pendarovski. 
 
“Tradita shekullore nuk duhet të rrezikohet nga aktivitete që përçmojnë ose ofendojnë kombet, shtetet, veçanërisht fqinjët tanë. Ne e dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në karnevalin në Vevçan - një akt i cili jo vetëm që dëmton reputacionin e karnavalit këtu, por dëmton edhe reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.",- thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup.
 
"Djegia e flamurit të Republikës së Bullgarisë gjatë karnavalit në Vevçan është e papranueshme dhe e dënueshme. Mes fqinjëve ka nevojë të ndërtohet besim, mirëkuptim dhe respekt i ndërsjellë.”,- thuhet në reagimin e presidentit, Stevo Pendarovski. 
 
Spasovski për djegien e flamurit bullgar: Dikush për arsye politike deshi të bëjë sensacion
 
Ndërsa ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, thotë se dikush për arsye politike deshi të bëjë senzacion për opinionin.
 
“Asgjë spektakulare nuk ndodhi në karnevalin e Vevçanit, ne kemi biseduar edhe me sektorin për prevenim që të mos organizohet prezencë masive. Marrëveshjet e arritura nuk u respektuan, por sido që të jetë, atje ndodhi një gjendje që për arsye politike dikush deshi të shkaktojë incident apo të jetë senzacion në opinion dhe asgjë më tepër se kjo.”,- u shpreh Oliver Spasovski nga MPB.                                                                                            
Pjesëmarrësit në karnaval, përveç djegies së flamurit bullgar, kanë defiluar me maska e veshje ushtarake, duke treguar, sipas tyre, të kaluarën fashiste të Bullgarisë, ndërsa disa të tjerë kanë mbajtur në duar rrënjë pemësh, duke ironizuar me pretendimet bullgare se maqedonasit dhe gjuha e tyre kanë “rrënjë bullgare.” Incidenti me djegie e flamurit bullgar vjen në rrethana kur zyrtarët e dy vendeve po përpiqen të tejkalojnë mosmarrëveshjet që lidhen me historinë, që çuan në veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve me BE-në. 
 
SANIJE DURAKU