Maqedoni
Despotovski: Në zonat ekonomike edhe 7300 punësime
15.01.2021 14:07
Edhe në kushte të pandemisë, kompanitë në zonat industriale kanë rritur numrin e të punësuarve....

Edhe në kushte të pandemisë, kompanitë në zonat industriale kanë rritur numrin e të punësuarve. Kështu theksoi drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjik, Jovan Despotovski, sipas të cilit këto kompani gjithsej kanë punësuar 14.100 persona që përbën rritje për 0,6 për qind. Sipas Despotovskit, bazuar në marrëveshjet që kanë nënshkruar këto kompani me qeverinë, do duhet të punësojnë edhe 7.300 persona.
“Para nënshkrimit të marrëveshjeve për ndihmë shtetërore, investitorët që janë në RMV janë të obliguar për të bërë 21,379 punësime dhe deri më tani janë përmbushur 66 për qind prej tyre. Detyrimet akoma vazhdojnë të rrjedhin, disa projekte janë në zhvillim e sipër dhe obligimi ynë do të jetë që të monitorojmë përmbushjen e detyrimeve nga ana e investitorëve. Do të ndiqen afatet për realizimin e të gjitha vendeve potenciale të punës në vitet e ardhshme nga këto kompani.”,- deklaroi drejtori i DZZHIT, Jovan Despotovski.
Despotovski: I pakënaqur me pagat nga investitorët e huaj
Despotovski u shpreh i pakënaqur me nivelin e pagave për punonjësit në zonat e lira ekonomike që janë nën mesataren. Ai njoftoi se nuk do të ketë subvencione për këto kompani, por përmes programeve të veçanta do të nxisin produktivitetin me çka do të bëhej rritja e pagave nga 30 deri në 50 për qind.
“Absolutisht jam i pakënaqur, jo vetëm me nivelin, por edhe me faktin se paga mesatare brenda zonave të lira është më e ulët se paga mesatare në suaza të ekonomisë vendore. Të jem i sinqertë për mua ishte befasuese në kuptim negativ që kompanitë e zhvilluara në aspektin teknologjikisht të paguajnë paga më të vogla se kompanitë tjera që përbëjnë ekonominë në tërësi.”,- u shpreh drejtori i DZZHIT, Jovan Despotovski.
Të gjitha Zona Zhvillimore Industriale Teknologjik realizohen 45 për qind e eksportit të përgjithshëm në vend, ndërsa gjatë vitit të kaluar eksporti nga këto zona ka arritur shumën totale prej 2.6 miliard euro që krahasuar me vitin paraprak si pasoj e krizës është një rënie prej tetë për qind.
ZEKIRJA MEXHITI
