Maqedoni

Kovid-19, në Kovid qendrat në vend 700 pacientë

15.01.2021 15:23

Në Kovid qendrat në tërë vendin aktualisht po trajtohen 700 pacientë, prej të cilëve 300 janë në spitalet në Shkup...

Në Kovid qendrat në tërë vendin aktualisht po trajtohen 700 pacientë, prej të cilëve 300 janë në spitalet në Shkup, ku në 24 orët e fundit janë shtrirë edhe 14 pacientë të rinj, ndërsa 19 persona kanë lëshuar spitalin pasi kanë fituar betejën me virusin Korona. Pas Shkupit numër më të madh pacientësh ka në Kumanovë - 61, në Prilep – 47, në Ohër - 40, Manastir dhe Shtip nga 34, në Veles dhe Strumicë nga 31 pacientë në trajtim spitalor, në Strugë - 27, në Tetovë dhe Kavadar nga 21, në Kërçovë - 16, Gostivar - 14, në Koçan - 9, në Dibër - 8 dhe Gjevgjeli ndodhen 6 pacientë në trajtim spitalor. 
 
Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se së shpejti në vend do të arrijë vaksinat anti Kovid. Ndërsa mjekët thonë se imunizimi duhet të nis sa më parë, ndërsa sqarojnë se nuk priten kundërefekte për qytetarët përfshirë dhe pacientët me sëmundje neurologjike. 
 
“Vaksinat që do të arrijnë nuk do të kenë indikacione negative tek të sëmurët me probleme neurologjike. Klinika e neurologjisë ka dërguar listën e sëmundjeve kronike se kush duhet ta marrë vaksinën. Një pjesë e madhe e sëmundjeve neurologjike janë kronike dhe trajtohen një kohë të gjatë dhe e rrisin rrezikun për komplikime nëse eventualisht preken nga Kovid-19. Kundër-indikacionet më të shpeshta do të jenë kundër-reagime ndaj vaksinave të pranuara më herët, apo ilaçeve. Në ato raste duhet biseduar me mjekët që i udhëheqin për rrezikun eventual nga vaksinimi, ndërsa pacientët neurologjik duhet të vaksinohen.”,- tha dr. Bojan Boshkovski nga Klinika e Neurologjisë.
 
Boshkovski: Kovid-19 rrit rrezikun për sulm në tru
 
Sa u përket pasojave neurologjike për pacientët që e kanë kaluar virusin Korona, mjeku Boshkovski dha përgjigjen:
“Virusi është i çuditshëm dhe në forma të ndryshme manifestohet te njerëzit. Këtë e shohim nga studimet botërore. Një studim i fundit nga Vuhani në Kinë rreth 85% e pacientëve që kanë qenë të shtrirë në spital e ndjejnë një simptomë edhe 8 muaj pas daljes nga spitali. Kjo është e ndryshueshme, deri tani ne nuk kemi përvojë, por statistikat flasin se infektimi me SARS KOV 2 mund ta rris rrezikun për sulme në tru pas përfundimit të trajtimit mjekësor.”,- u shpreh mjeku në Klinikën e Neurologjisë, Bojan Boshkovski.
 
Autoritetet shëndetësore po ashtu bëjnë të ditur se nga dita e hënë Kovid pacientët që kurohen në shtëpi ose duhet të bëjnë kontroll, ndërsa u nevojitet pasqyrë laboratorike e gjakut dhe CeErPe, këtë do të munden që me udhëzim të mjekut amë ta bëjnë në poliklinikat “Јаnе Sаndanski”, “Bit Pazar” dhe “Draçevë”. Me këtë synohet të ulet numri i pacientëve në Spitalin “8 shtatori”, ku rreth 100 persona në ditë shkojnë për të kontrolluar parametrat e gjakut. 
 
GYLTENE SINANI