Maqedoni
Debat për pr/ligjin për regjistrim, “përplasje” dhe akuza për politizim të procesit
15.01.2021 15:46
Kundërshtim argumentesh në ditën e tretë të debatit për propozim ligjin për regjistrim të popullsisë...

Kundërshtim argumentesh në ditën e tretë të debatit për propozim ligjin për regjistrim të popullsisë. Deputetët e VMRO–DPMNE-së kërkuan tërheqjen e ligjit, pasi sipas tyre është në dëm të interesave shtetërore dhe në interes të pushtetit, pasi ka munguar debati publik. Kjo u kundërshtua nga deputetja socialdemokrate Llazarevska.
“Fajtor kryesor janë qeveria e LSDM–së dhe BDI–së më krye me Zoran Zaevin që regjistrimi bëhet politik dhe rezultat i marrëveshjes brenda koalicionit. Ligjit, brenda natës i vendosën flamurin europian, në kundërshtim me parimet demokratike dhe europiane, degraduan kuvendin dhe anashkaluan ekspertët.”,- u shpreh deputeti i VMRO–DPMNE-së, Aleksandar Vlejanovski.
“Nuk mund të themi se ligji që ofrohet është ad–hog, por vetë ligji paraprakisht si projekt është prezantuar dhe kanë marrë pjesë ekspert eminentë, njerëz të statistikës si dhe ekspertë ndërkombëtarë.”,- tha deputetja e LSDM–së, Zhaklina Llazarevska.
Deputetët e VMRO–DPMNE–së kundërshtuan edhe regjistrimin e diasporës si rezidente, duke u ndeshur me deputetët shqiptarë.
“Ata janë mjaft të rëndësishëm për Maqedoninë, por është absurde të jenë pjesë e një operacioni statistikor dhe sipas këtij propozim ligji ne do t’i bëjmë rezidentë të Maqedonisë.”,- u shpreh deputetja e VMRO–DPMNE–së, Beti Stamenkovska Trajkovska.
“Ata padyshim që janë pjesë shumë e rëndësishme e jona dhe duhet trajtuar me shumë kujdes madje paralelisht me atë të kërkuarit e faljes ndaj tyre që ua vramë shpresën përgjithmonë, duhet të mendojmë mirë se si ne ata do të mundohemi që ti kthejmë.”,- theksoi deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Nga BDI ftuan VMRO – në të heq dorë nga bojkoti dhe të ftojë qytetarët të kyçen në regjistrim.
“Kam dëgjuar thirrje për bojkot edhe iniciativa për tërheqje të ligjit për regjistrim, nuk është asgjë tjetër përpos thirrjes për bojkot. Hajde më mirë është mos të paragjykojmë, por të mendojmë për logon e këtij regjistrimi. unë do të kisha propozuar: Secili nga ne vlen, regjistroju, kjo të jetë porosia të cilën do t’ua dërgojmë qytetarëve.”,- tha deputetja e BDI–së, Arta Bilalli Zendeli.
“Mos manipuloni nuk ftojmë në bojkot, por ftojmë për një ligj normal europian për regjistrim të popullsisë. Dihet se kush ka bojkotuar në vitin ’92 dhe ’94.”,- deklaroi deputetja e VMRO–DPMNE–së, Zhaklina Peshevska.
Regjistrimi i popullsisë parashikohet të realizohet nga 1 deri më 21 prill dhe të kushtojë 8.5 milion euro.
MERAL ISMAILI
