Maqedoni

Qendra për Komunikim Qytetar, ndërmarrjet publike me mangësi në menaxhim

15.01.2021 18:27

Gjithsej 145 ndërmarrjet publike në vend që menaxhohen nga pushteti qendror apo lokal, arkëtojnë të ardhura vjetore prej 810 milionë euro...

Gjithsej 145 ndërmarrjet publike në vend që menaxhohen nga pushteti qendror apo lokal, arkëtojnë të ardhura vjetore prej 810 milionë euro, por hulumtimet e Qendrës për Komunikim Qytetar theksojnë se në këto ndërmarrje ka shumë mangësi në menaxhim. Hulumtimet e realizuara gjatë 3 viteve të fundit u prezantuan në debatin me temë “Funksionimi i ndërmarrjeve nëpër prizmin e indikatorëve financiarë”.                            
 
“Hulumtimet e qendrës tonë tregojnë shumë dobësi në ndërmarrjet publike në vendin tonë. Dobësitë manifestohen me mostransparencën e procedurës së zgjedhjes së anëtarëve të këshillave drejtues të ndërmarrjeve, që le hapësirë për ndikim politik dhe vendosje të personave joadekuatë në pozitat udhëheqëse. Më tej mungesën e  sistemit për ndjekjen e performancës së punës të këtyre ndërmarrjeve nga ana e themeluesve të tyre.”,- deklaroi Sabina Fakiç nga Qendra për Komunikim Qytetar.
 
Bytyqi: Studim fizibiliteti edhe për ndërmarrjet tjera
 
Për të përmirësuar situatën e ndërmarrjeve publike shtetërore dhe për të rritur efikasitetin e tyre, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Qeveria do të bëjë studim fizibiliteti për dy ndërmarrjet shtetërore Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti dhe termoelektranën TEC Osllomej për të vërtetuar nëse të njëjtat duhet të menaxhohen me partneritet privat.
 
“Analizat tona kanë treguar se ristrukturimi i disa prej kompanive është një proces i pashmangshëm që do të ndodhë në periudhën e ardhshme. Ju tashmë e dini që Qeveria ka filluar procesin e përzgjedhjes së ndërmarrjeve për studimin e fizibilitetit për Postat e Maqedonisë dhe TC - Negotinë dhe i njëjti proces do të vijoj edhe në Hekurudhat Maqedonisë - Transport, TEC Oslomej si dhe një pjese të impianteve energjetike që veprojnë brenda SHA Elektranat e Maqedonisë Veriore.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bityqi. 
 
Bytiqi po ashtu theksoi se nëse te këto ndërmarrje vërtetohet se mund të punojnë me këtë status atëherë do të planifikohen ndryshime të brendshme të cilat do të ndikojnë që këto ndërmarrje të dalin me bilanc pozitiv në aspektin financiar. Në të gjitha ndërmarrjet publike në vend janë të punësuar gjithsej 29 mijë persona.
 
ZEKIRJA MEXHITI