Botë
Rusia dëbon diplomatë polakë
17.11.2014 12:28
Rusia ka njoftuar se ka dëbuar nga vendi i tij disa diplomatë polakë. Përmes një deklarate, sot më 17 nëntor...

Rusia ka njoftuar se ka dëbuar nga vendi i tij disa diplomatë polakë. Përmes një deklarate, sot më 17 nëntor, Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar diplomatët polakë se janë përfshirë në aktivitete që nuk përkojnë me statuset e tyre, frazë kjo që në përgjithësi përdoret kur e akuzon dikë për spiunazh.
“Autoritetet polake kanë marrë hapa jomiqësorë. Andaj, Rusia ka marrë masa dhe një numër të tyre i ka urdhëruar që të largohen nga vendi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe anëtarëve të Bashkimit Evropian janë tensionuar kohët e fundit, për shkak krizës në lindje të Ukrainës dhe sanksioneve që BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë.
Edhe Varshava ka dëbuar diplomatë rusë nga vendi i saj, por arsyeja ende mbetet e paqartë.
