Maqedoni

Kovid-19, në trajtim spitalor në tërë vendin 685 pacientë

17.01.2021 16:00

Në Kovid qendrat në mbarë vendin në trajtim spitalor janë 685 pacientë...

Në Kovid qendrat në mbarë vendin në trajtim spitalor janë 685 pacientë, prej të cilëve 287 në Shkup dhe 398 në qytetet tjera të vendit. Në 24 orët e kaluara në kovid qendrat në Shkup janë pranuar 17 pacientë të rinj, ndërsa spitalin e kanë lëshuar 20 persona të shëruar.
 
Ulja e numrit të personave të infektuar dhe atyre në trajtim spitalor ka bërë që të rritet numri i krevateve të lira në Kovid qendrat në tërë vendin.
 
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 616 krevate të lira në tërë vendin. Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se muajin e ardhshëm, pritet të arrijnë dozat e para të vaksinave nga “Fajzer” dhe mekanizmi KOVAKS, ndërsa sistemi shëndetësor është përgatitur për të nisur vaksinimin.
 
Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, duke raportuar për furnizimin e vaksinave kundër KOVID-19, theksoi se sistemi shëndetësor është tërësisht i përgatitur për vaksinim, ndërsa në shkurt pritet të arrijnë dozat e para nga “Fajzer” dhe mekanizmi “KOVAKS”.
 
Po ashtu kanë arritur dy frigoriferë të cilët ishin paralajmëruar si donacion për vaksinën e Fajzerit e cila ruhet në -70 gradë, ndërkaq edhe tre priten gjatë javëve në vijim. Në një frigorifer mund të deponohen 100 mijë doza të vaksinave.
 
Filipçe paralajmëroi se për kohë të shkurtë do të arrihet marrëveshje me kompaninë Fajzer, prej nga priten 5.850 doza në shkurt, ndërsa nga 17.500 në mars dhe në prill. Në shkurt, pohon ministri, do të arrijnë edhe vaksinat përmes mekanizmit KOVAKS, për të cilat është bërë udhëzimi dhe është siguruar garanci adekuate.
 
Sasia e përgjithshme e vaksinës përmes këtij mekanizmi për shtetin tonë është 833.000 doza. Aktualisht në vend ka rreth 14 mijë raste aktive me virusin Korona, ndërsa janë detektuar 7 deri në 8 lloje të virusit. 
 
SANIJE DURAKU