Maqedoni

Simovski: Nuk ka shtyrje të regjistrimit, rezultatet mund të mos na pëlqejnë. Regjistrimin e politizon Kushtetuta

17.01.2021 17:09

Maqedonia e Veriut prej 19 vitesh nuk ka realizuar regjistrim, prandaj shtyrja e regjistrimit...

Maqedonia e Veriut prej 19 vitesh nuk ka realizuar regjistrim, prandaj shtyrja e regjistrimit, siç kërkon VMRO-DPMNE, është e papranueshme, thotë për “Europën e lirë” drejtori i Entit të Statistikës, Apostol Simovski.
 
Statistika e regjistron realitetin nuk e krijon atë, thotë Simovski, sipas të cilit çfarëdo regjistrimi të realizoni gjithmonë do të ketë të pakënaqur. Ai shpreh bindjen se regjistrimi këtë vit do të realizohet dhe madje thotë se nuk i intereson fare nëse rezultati do t’i pëlqejë apo jo dikujt, e aq më pak partive politike.   
                                                                                                
“Edhe po të vijnë ekspertët më me renome në botë që ta realizojnë regjistrimin dhe edhe regjistruesit nga e gjithë bota t’i mbledhim, përsëri do të dalë dikush që nuk i pëlqejnë. Personalisht mua nuk do të më pëlqejnë rezultatet e regjistrimit, pasi e di se do të kemi një zbrazëtirë të madhe të njerëzve që janë shpërngulur nga shteti, ne nuk i kemi evidentuar. Do të jemi larg asaj se kemi rritje të popullsisë. Personalisht nuk do të jem i kënaqur nga kjo e dhënë,  por kjo nuk do të thotë se nuk do ta pranojë. Duhet t’i hapim sytë dhe ta pranojmë realitetin që e kemi. Statistika nuk e krijon, por e regjistron realitetin. Jam i sigurt se shumëkujt nuk do t’i pëlqejnë rezultatet e regjistrimit, por nuk më intereson. Bukfalisht nuk më intereson nëse dikujt, e sidomos partive politike, nuk ju pëlqejnë rezultatet. Me rëndësi është të sigurojmë bazë të shëndoshë për ne që jemi këtu dhe për ata që duhet ta planifikojnë zhvillimin e shtetit në drejtim pozitiv.”,- tha drejtori i Entit të Statistikës, Apostol Simovski. 
 
Drejtori Simovski vlerëson se politizimi i regjistrimit buron nga Kushtetuta në të cilën disa të drejta dalin nga përqindja e një bashkësie të caktuar etnike.                                                                                                 
“Në kushtetutë kemi vendosur disa norma politike që lidhen me numrin e popullsisë, që është një nga faktorët që ndikon në politizimin e regjistrimit, megjithëse regjistrimi është politizuar në këtë shtet edhe shumë më herët, që në kohën e ish Jugosllavisë.”,- theksoi drejtori i Entit të Statistikës, Apostol Simovski. 
 
Regjistrimi nuk ka të bëjë vetëm me atë se sa jemi dhe cilës bashkësi etnike i takojmë, thotë drejtori i Entit të Statistikës, sipas të cilit me regjistrimin grumbullohen të dhëna tjera që janë shumë më të nevojshme për planifikimin e zhvillimit, qoftë në nivel lokal, shtetëror, në nivel kompanish, e sidomos në biznes. Regjistrimi në Maqedoninë e Veriut është paraparë të realizohet prej një deri më 21 prill të këtij viti. 
 
GYLTENE SINANI