Maqedoni
LSDM/VMRO, përplasje rreth investimeve në infrastrukturë
17.01.2021 17:36
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë përmes një komunikate ka paralajmëruar se edhe në vitin 2021...

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë përmes një komunikate ka paralajmëruar se edhe në vitin 2021 qeveria aktuale vazhdon me investime në infrastrukturë. Projektet kapitale, sipas kësaj partie, në buxhetin e vitit 2021, kapin shifrën e rreth 23 miliardë denarë, të cilat janë planifikuar për investime kapitale, që është 20 për qind më e lartë krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas LSDM-së, aktualisht 840 milion euro janë duke u investuar në ndërtimin dhe rehabilitimin e 400 kilometrave rrugë në të gjithë vendin. Mbi 59 kilometra autostrada janë duke u ndërtuar, mbi 104 kilometra rrugë të shpejta dhe 20 kilometra rrugë lokale janë duke u ndërtuar.
“Për këtë vit, përveç rrugëve, janë planifikuar 25 projekte të reja për ndërtimin ose rindërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve me një vlerë totale prej 12.7 milion euro. Në të njëjtën kohë, 30 projekte për ndërtimin ose rindërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve me një vlerë totale prej rreth 14 milion euro janë duke u zhvilluar. Gjithsej 574 apartamente janë duke u ndërtuar për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve në 7 komuna dhe këtë vit është planifikuar të ndërtohen edhe 5 ndërtesa të reja me gjithsej 202 shtëpi për qytetarët e pafavorizuar nga shoqëria. Gazsjellësi kaloi Manastirin dhe po ndërtohet drejt Resnjës, si dhe drejt Tetovës dhe Gostivarit.”,- u tha në komunikatën në LSDM.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së. Sipas kësaj partie, LSDM çdo vit po del me të njëjtat premtime dhe nuk ka asnjë realizim. Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja deri më tani duhet të kishte pasur 600 kilometra autostrada të reja, një qendër të re klinike, një qytet të ri studentor dhe konvikte të reja, gazifikimi duhej të kishte përfunduar dhe 32 komuna duhej të ishin gazifikuar, ndërtimi i Cebren duhet të kishte filluar dhe dhjetëra investime të tjera kapitale.
“Rezultati është një asgjë e madhe. Investimet kapitale janë realizuar me një normë rekord të ulët realizimi, pavarësisht nga fakti se vazhdimisht në çdo rebalanc, gjëja e parë që ata ulin është norma për investime kapitale. Ky është rezultat i paaftësisë së tyre. Ata kanë realizim të plotë vetëm në kontratat për shërbime dhe transferime, përmes të cilave ata pajisen me shampanjë, automjete të reja, mobilje ose honorare të trasha. Vetë anëtarët e LSDM-së nuk besojnë kur dëgjojnë se premtohet një projekt i ri kapital nga kjo qeveri e Zaevit. LSDM edhe në buxhetin e ri ata së pari alokuan fonde për nevojat e tyre fitimprurëse, kështu që buxheti përsëri është i pazhvilluar dhe i fryrë, dhe kështu qytetarët do të mbeten me duar bosh.”,- u tha në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE vlerëson se shumë projekte të cilat hartohen në fillim të vitit në rebalancin e parë të Qeverisë ato shkurtohen, siç kanë ndodhur gjatë viteve 2020 dhe 2019.
FITIM KRYEZIU
