Maqedoni

MPB, u arrestuan 13 persona në dy ahengje në Shkup. Inspektorati i Tregut mbylli një lokal në rajonin e Tetovës

17.01.2021 17:58

Policia arrestoi 13 persona në dy ahengje shtëpiake në Shkup...

Policia arrestoi 13 persona në dy ahengje shtëpiake në Shkup për shkak të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga Kovid-19.

“Mëngjesin e sotëm në orën 02:45, pas informacioneve të mara se në një banesë në rrugën ‘Rajko Zhinzifov’ në Shkup ka muzikë të zëshme dhe nuk respektohen masat për mbrojtje nga Kovid-19, nëpunësit e policisë nga SPB Shkup, në bazë të urdhrit gjyqësor, kanë bërë kontroll në banesën, pronë e S. G. 34 vjeç nga Shkupi. Në banesë janë gjetur pronari dhe 7 persona të tjerë, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Në periudhën e njëjtë, në koordinim me prokurorin publik, nga ana e Njësisë së Punëve të Brendshme Qendër dhe Policisë Intervenuese, në një banesë në rrugën “Elisie Popovski Marko” janë gjetur pesë persona në një aheng.

Në këto dy ahengje 13 personat janë privuar nga liria dhe janë dërguar në stacionin e policisë, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tyre do të ngritet padi sipas nenit 206 të Kodit Penal për “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Po ashtu Inspektorati Shtetëror i Tregon e ka mbyllur përkohësisht një objekt hotelierik në Sellarcë të Epërme të Tetovës, pasi mbrëmë në ora 21:30 në të janë gjetur 29 mysafirë pas orarit të lejuar të punës. Policia e ka arrestuar pronarin e saj 41-vjeçar nga ky fshat, ndaj të cilit do të vijojë padi përkatëse.