Futboll

Shqipëria nesër kundër Italisë

17.11.2014 14:01

Pas paraqitjes mjaft të kënaqshme që ka patur Kombëtarja Shqiptare në miqësoren përballë Francës...

Pas paraqitjes mjaft të kënaqshme që ka patur Kombëtarja Shqiptare në miqësoren përballë Francës, ajo do të luaj të martën në mbrëmje me Italinë në Genova në një miqësore tjetër luksi. Gianni De Biasi, me ekipin e tij kuq e zi, do ta sfidojë përfaqësuesen e vendit të tij, atë të Italisë.

Andaj, kjo ndeshje është shumë e veçantë për strategun italian, i cili për dy vite punë në Shqipëri, ka arritur të sjell “magji” në skuadrën që fle në zemër të çdo shqiptari.

De Biazi ka thënë se për 90 minuta do të jetë shqiptar kundër Italisë, për ti qëndruar besnik Shqipërisë, të cilës i beson shumë.

“E rëndësishme është që do të luajmë për herë të parë me Italinë, një gjë që ju ma kishit kërkuar që në fillim. Tani gjithçka është gati, madje dhe unë do të luaj, pasi jam shqiptar”, ka deklaruar De Biasi.

Por, italiani ka thënë se në të njejtën kohë do ta këndojë edhe himnin italian, bashkë me bashkëkombësit e tij, që kësaj here do t’i ketë kundërshtarë, por vetëm sportiv.

“Këndova dhe himnin francez dhe na solli mbarësi, kështu që do të këndojë dhe himnin italian”, theksoi tekniku i kuqezinjve.

Ndeshja miqësore mes përfaqësueseve të Italisë dhe Shqipërisë, do të zhvillohet nesër me fillim në orën 20 e 45, në stadiumin Luigi Ferraris.