Botë

Covid-19, IPPR: OBSh dhe Kina mund të vepronin më shpejt

19.01.2021 13:48

OBSh dhe Kina kanë mundur të reagojnë më shpejt, menjëherë pas paraqitjes së sëmundjes COVID-19...

OBSh dhe Kina kanë mundur të reagojnë më shpejt, menjëherë pas paraqitjes së sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Kështu thuhet në raportin e dytë, të Panelit të Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Pandemisë (IPPR). Sipas raportit, një vlerësim i “fazës së hershme të shpërthimit, shfaqi shenja se duhej të veprohej më shpejt”.

Për herë të parë, koronavirusi u zbulua në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe shumë shpejt u shpërnda në tërë botën duke detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të shpall në fillim të vitit 2020 pandeminë e COVID-19.

Që atëherë, shtetet kanë zbatuar masa të ashpra të izolimit dhe ekonomitë e shumë vendeve janë dëmtuar rëndë. SHBA-ja, e ka akuzuar Kinën se ka fshehur informacionet për shkallën e të infektuarve si dhe ka bërë thirrje për një hetim “transparent” për origjinën e koronavirusit.

Kina pretendon se pavarësisht faktit se koronavirusi u paraqit për herë të parë në Vuhan, nuk do të thotë se ai domosdoshmërisht e ka origjinën aty. Sipas Universitetit, Johns Hopkins, deri më 18 janar mbi 93 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus, prej të cilëve mbi 2 milionë kanë vdekur.