Maqedoni

Kovid-19, pritet arritja e 8000 vaksinave nga Serbia

19.01.2021 15:24

Ministri i shëndetësisë vazhdon koordinimin me autoritetet shëndetësore serbe që sa më parë të arrijnë në vend 8000 vaksinat...

Ministri i shëndetësisë vazhdon koordinimin me autoritetet shëndetësore serbe që sa më parë të arrijnë në vend 8000 vaksinat e para nga Serbia, të cilat janë dakorduar mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe presidentit serb, Aleaksandar Vuçiq.

Bëhet fjalë për vaksina të kompanisë “Fajzer”, të cilat do të përdoren fillimisht për vaksinimin e personelit mjekësor. Vaksinat e para nga “Kovaks” mekanizmi pritet të arrijë gjatë muajit shkurt, prandaj kryeministri Zaev tha se ka kërkuar përkrahjen e vendeve që tanimë e kanë siguruar vaksinën që të ndajnë një sasi të caktuar dozash që edhe vendi sa më parë të nis vaksinimin.

Ndërkohë, autoritetet në Bruksel kanë njoftuar se furnizimi me vaksina për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga temat e mbledhjes së liderëve të BE-së më 21 janar.

Filipçe: Nga 21 janari kafenetë do të punojnë deri në orën 21

Bazuar në vlerësimet e autoriteteve shëndetësore se gjendja me virusin Korona në vend po shkon drejt stabilizimit, Qeveria ka miratuar propozimin që prej 21 janarit të zgjatet orari i punës për kafenetë dhe restorantet, të cilat do të mund të punojnë deri në orën 21 në vend të orës 18, siç është aktualisht. Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sipas të cilit javën e ardhshme mund të ketë edhe lehtësime tjera të masave.

“Në seancë të Qeverisë, kemi miratuar propozimin, që nga 21 janari, orari i punës për objektet hotelerike të jetë deri në orën 21:00. Javën e ardhshme pasi ta analizojmë gjendjen epidemiologjike në vend, mund të ketë lehtësim shtesë të masave, gjegjësisht orari i punës së kafeneve të jetë deri në orën 23:00.”,- ka shkruar ministri Filipçe në facebook.

Njëherit, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Kovid qendrat në tërë vendin në trajtim spitalor janë gjithsej 620 pacientë. Në Kovid qendrat në Shkup ka 261 pacientë, ndërsa në qytetet tjera po trajtohen 359 pacientë.

Për shkak të uljes së numrit të pacientëve në trajtim spitalor, të hënën është mbyllur Kovid qendra në Klinikën e Syve, ndërsa sot u mbyll edhe Kovid qendra në Klinikën për Veshë, Hundë dhe Fyt.

GYLTENE SINANI