Botë

ShBA, të mërkurën ceremonia e inaugurimit të Bidenit

19.01.2021 15:42

Nën masa të rrepta të sigurisë, Uashingtoni po përgatitet për ceremoninë e 20 janarit...

Nën masa të rrepta të sigurisë, Uashingtoni po përgatitet për ceremoninë e 20 janarit, kur zyrtarisht presidenti i ri amerikan, Joe Biden, merr postin. FBI-ja është duke kryer kontrolle sigurie edhe të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në kryeqytet.

“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar Washingtonin DC,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i mbrojtjes, Christopher Miller.

Miller shtoi se trupave po u bëhet trajnim shtesë dhe u është kërkuar që nëse dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ua raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”
Ndërkohë, vajza e presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden, Ashley, shprehet e “shqetësuar” për sigurinë e babait të saj në ditën e betimit si president.  


“Kur njerëzit e tu të afërt kërcënohen nga një rrezik, padyshim që shqetësohesh, edhe pse Shërbimi ynë Sekret është i jashtëzakonshëm. Dhuna më trishton jashtëzakonisht shumë, dhe shkakton kaq shumë trauma.”,- ka deklaruar vajza e Biden.

Ndërkohë, presidenti në largim, Donalld Trump, me familjen e tij, nesër në orën 12 duhet të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Në vend të Trumpit, popullit iu drejtua zonja e parë, Melania.

“Më kanë inspiruar amerikanët e jashtëzakonshëm që i kanë ndërtuar bashkësitë tona me dashuri dhe guxim, me mirësinë dhe madhështinë, katër vitet e kaluara ishin të paharrueshme. Tani kur Donald dhe unë e përfundojmë qëndrimin në Shtëpinë e Bardhë, mendoj për njerëzit që hynë në zemrën time, tregimet e tyre për dashuri, patriotizëm dhe vendosmëri.”,- tha zonja e parë e SHBA-ve, Melania Trump.

Trump dhe Melania nuk do të bëjnë pranim-dorëzimin e shtëpisë së bardhë te Xho dhe Xhil Bajden. Ndërsa pas 150 vitesh, Trump do të jetë presidenti në largim që nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri.

Autoritetet e sigurisë kanë lënë të kuptohet se disa përkrahës të presidentit në largim, Donald Trump, mund të përpiqen të cenojnë ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e Bidenit. Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të rralla të sigurisë.

GYLTENE SINANI