Maqedoni
ASh-Alternativa promovuan platformën shtetësi.mk
19.01.2021 16:00
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me qëllim që të ngritin dhe sensibilizojnë opinionin...

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me qëllim që të ngritin dhe sensibilizojnë opinionin për çështjen e nënshtetësisë, kanë ngritur platformën shtetësi.mk, ku të gjithë qytetarët pa shtetësi do të kenë mundësi që të shfaqin problemet më të cilat janë ballafaquar gjatë rrugëtimit të tyre për t’u pajisur me shtetësi.
Sipas këtij Koalicioni, për shkak të anomalive ligjore, RMV i pamundëson qytetarëve e saj të kenë qasje në të drejtat themelore civile e politike.
“Ideja e ligjit është që institucionet të cilat paguhen nga tatimi i qytetarëve të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të kemi ministri të Punëve të Brendshme e cila ka mbajtur diku sipas mediumeve rreth 2000 kërkesa për shtetësi dhe të gjitha nga një bashkësi etnike. Çdo politikan që ka pak ndërgjegje, që të paktën i ka ngel pak njeri brenda vetës e që janë të përfaqësuar në Parlament duhet ta përkrahim dhe ta votojnë këtë ligj.”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, potencoi se deputetët e këtij koalicioni u kanë ofruar të gjitha subjekteve politike në Kuvend që t’i tregojnë shqetësimet e tyre dhe bashkërisht të bisedojnë që propozim ligji i përgatitur nga opozita të kishte përkrahjen e shumicës në Kuvend.
“Ne kemi bërë një propozim ashtu siç e parashohin procedurat në Parlament, pra e kemi propozuar ligjin dhe i kemi ftuar të gjitha partitë politike si ato maqedonase ashtu edhe ato shqiptare që jo ta pranojnë ligjin ashtu siç e kemi propozuar ne, por ta përmirësojmë, pra ideja ishte që bashkë ta përmirësojmë. Pra, ideja jonë nuk është që ASh dhe AAA të krekosen, kanë sjellë dhe kanë zgjidhë një problem të shqiptarëve dhe të marrim pikë politik, por halli ynë është që të realizojmë një të drejtë elementare të qytetarëve të këtij vendi.”,- u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Përveç platformës në fjalë partitë opozitare paralajmërojnë do të realizojnë edhe hapa të tjera për tejkalimin e kësaj problematike të madhe për qytetarët.
FITIM KRYEZIU
