Maqedoni
Pr/ligji për regjistrim, Mehmeti: Mosmiratimi flet për politizim të procesit. Për proces kredibil nevojitet konsensus
19.01.2021 16:35
Vonesa e miratimit të ligjit për regjistrimit të popullsisë flet për një politizim të kësaj çështje...

Vonesa e miratimit të ligjit për regjistrimit të popullsisë flet për një politizim të kësaj çështje, vlerëson analisti politik Ibrahim Mehmeti. Sipas tij kjo komplikon procesin dhe përgatitjet për në prill. Si burim kryesor i politizimit të operacionit të regjistrimit, thotë se është kushtetuta ku të drejtat etnike definohen sipas përqindjes.
“Kjo nuk është punë e thjeshtë aq më tepër nëse e kemi parasysh politizimin e rastit dhe për regjistruesit do të jetë shumë e nevojshme të kenë trajnim të mirë, gjithëpërfshirës, shumë konkret të mos të kemi përsëri keqkuptime dhe manipulime me rezultatin pastaj. Ky politizim nuk do të ndërpresë përderisa rezultatet e regjistrimit I determinojnë të drejtat e qytetarëve, dhe kjo është një situatë, sipas meje, jo produktive në kuptimin e ndërtimit të një shoqërie funksionale, multietnike.”,- deklaroi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Kjo sipas Mehmetit reflekton edhe në besimin e procesit statistikor edhe përkundër ligjit të mirë dhe metodologjisë së regjistrimit. Për besueshmëri më të madhe Mehmeti konsideron se nevojitet konsensus jo vetëm partiak por edhe shoqëror.
“Presim korrektësi edhe nga opozita, pasi që nëse gjysma e parlamentit dhe shoqërisë është kundër, atëherë është e vështirë që të kemi një proces i cili do të na çoj drejt normalizimit të situatës. Është shumë me rëndësi të krijohet një konsensus shoqëror do të kisha thënë, jo vetëm politik që askush mos të frikohet nga rezultatet. Kjo është e para dhe e dyta çdo kush duhet të le pak besim tek ata që do ta implementojnë, sepse ato regjistrues edhe ata që do ta udhëheqin procesin janë qytetarë të këtij vendi.”,- tha analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Ditë më parë projekt ligji qeveritar për regjistrim të popullsisë dhe amvisërive në mungesë të kuorumit nuk u hodh në votim. Për arsye shëndetësore munguan dy deputetë të shumicës, ndërkaq opozita nuk ndihmoi në krijimin e kuorumit.
Kreu i parlamentit, Talat Xhaferi, do të vë për votim ligjin për operacionin statistikor me kthimin e dy deputetëve të shumicës.
MERAL ISMAILI
