Maqedoni
“Boll më”: EVN po i zhvat qytetarët
19.01.2021 16:52
“Boll më” - Iniciativa qytetare kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ka akuzuar EVN-në...

“Boll më” - Iniciativa qytetare kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ka akuzuar EVN-në se vazhdon me avazin e vjetur duke vjedhur dhe zhvatur qytetarët, duke sjellë në shtëpitë e tyre fatura tejet të kripura dhe duke mos i lexuar në rregull orëmatësit.
Ata thonë se faturat që vijnë pa matjen e orës vështirësojnë ekonominë e qytetarëve, për këtë arsye ata kanë hapur zyrën në Tetovë për t’ju ndihmuar qytetarëve me problemet që kanë ata me EVN-në dhe sipas tyre këto padi do t’i fitojnë kundër EVN-së.
“Është zyrë e hapur për t’i ndihmuar të gjithë qytetarët të cilët kanë probleme me EVN-në. Jemi të gatshëm dhe të bindur bashkë me tre avokatët tanë që lëndët do t’i fitojmë kundër EVN-së.”,- u shpreh Adnan Voka nga INIciATIVA “Boll më”.
Qytetarët shprehen tejet të mllefosur ndaj EVN-së, që sipas tyre as që i merr parasysh kërkesat e tyre. Ka raste ku edhe pse është shtëpi banimi, rryma llogaritet si industriale ose prodhuese.
“Rastin më konkret që e kam me EVN-në dhe jam i autorizuar nga pronarja e ndërtesës. Kemi kërkuar nga EVN, ka afër një vit e gjysmë për lidhje të re ose kyçje të rrymës. Mi kanë refuzuar kërkesat dhe për një lidhje të re kërkojnë 2800 euro. Jam ankuar te Komisioni Rregullator për Energji, aty më është pranuar kërkesa pozitive dhe fitova të drejtën e lidhjes ose kyçjen e rrymës për vetëm 500 euro. Por përsëri EVN e ka kundërshtuar me arsyetimin se nuk ka adresë të saktë të lidhjes. Kam bërë përsëri kërkesë për të tretën herë, përsëri e ka refuzuar EVN dhe nuk më lejohet të kyçem në rrjetin e rrymës.”,- u shpreh një qytetar.
Ka raste ku edhe pse është shtëpi banimi, rryma llogaritet si industriale ose prodhuese.
“Më lajmërohet tezja se rryma më vjen shumë shtrenjtë, shkova ia korrigjova faturat, kur shoh se rryma vjen si industriale, si me qenë punë dyqani, ndërkohë tezja jeton aty, banesë banimi, dyqan ka, por ka kyçje tjetër dhe orë matës veç nga banesa.”,- theksoi një qytetar.
Përndryshe, Iniciativa “Boll më” ka paralajmëruar protesta para zyrave të EVN-së në Shkup, në lokacionin e ri të saj, poshtë Kalasë.
VISAR SADIKI
