Maqedoni
Personat me aftësi të kufizuara: Jemi të diskriminuar, të përmirësohen kushtet
19.01.2021 17:11
Shoqata e personave me aftësi të kufizuar “Sos Vita” kërkon nga institucionet përkatëse...

Shoqata e personave me aftësi të kufizuar “Sos Vita” kërkon nga institucionet përkatëse që të punojnë në përmirësimin e kushteve të kësaj kategorie të qytetarëve. Sipas kësaj shoqate, 120 anëtarët e saj ndjehen të diskriminuar nga ana e shtetit.
“Nuk kemi kushte stabile për personat me nevoja të veçanta. Nga shteti kërkojmë që të kemi vendkalime të mira për personat me nevoja të veçanta, sidomos nëpër institucione të larta. Ne kërkojmë kushte elementare, ne nuk kemi financim nga askush. Ne kemi grumbulluar para vetë duke qëndruar 5 orë për të blerë karota. Në përgjithësi thuajse hiq nuk ka as mbështetje. Me 7 mijë denarë jeton një person me aftësi të kufizuar dhe 4 mijë denarë, gjithsej 11 denarë.”,- u shpreh kryetari i Shoqatës “Sos Vita”, Ertan Shakir.
“Kushtet në përgjithësi janë katastrofale për ne. Në Bit Pazar e rrethinë në përgjithësi trotuaret janë të bllokuar me vetura të larta, trotuaret pa ndihmën e dikujt nuk mundesh t’i kalosh. Ke frikë se mund të rrezohesh dhe jemi të detyruar të dalim në rrugën kryesore dhe aty rrezikojmë komunikacionin por edhe veten. Qeveritarët duhet të kenë parasysh se kemi bërë shumë herë apel dhe ne mund të them lirshëm se në të gjitha aspektet jemi të diskriminuar.”,- tha anëtari i Shoqatës “Sos Vita”, Abaz Berisha.
Nga kjo shoqatë gjithashtu kërkojnë ndihmë edhe nga organizata vendore dhe ndërkombëtare që t’u dalin në ndihmë.
REJHANE BUSHI METAJ
