Maqedoni

UNShM: Gjysmëvjetori do të fillojë me bojkot të mësimit

19.01.2021 17:29

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme paralajmëron bojkot të mësimit nga dita e enjte kur pritet të fillojë gjysmëvjetori i dytë...

Siç njoftojnë nga Unioni, pas konsultimeve me përfaqësuesit e nxënësve në të gjithë vendin, bashkërisht me maturantët kanë vendosur të bojkotojë mësimin nga e enjtja - 21 janar 2021 - deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, që kanë të bëjnë me modifikimin e maturës për këtë vit shkollor.

“Në përpilimin e kërkesave tona për modifikim dhe simplifikim të përmbajtjes së maturës shtetërore kemi marrë shembull autoritetet arsimore në Francë që kanë propozuar të njëjtën duke zvogëluar numrin e lëndëve për provimin e maturës shtetërore atje.”,- thuhet në njoftim, duke shtuar se këto kërkesa janë propozuar tek institucionet arsimore gjatë mbledhjes me ministren e arsimit, Milla Carovska, më 9 dhjetor 2020.

Sipas Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, një vendim i këtillë për të bojkotuar mësimin ka ardhur pasi institucionet arsimore, respektivisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Qendra Shtetërore e Provimeve nuk kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë që kërkesat e tyre të pranohen me qëllim të realizimit të suksesshëm.