Maqedoni
Rritja ekonomike, Kuçi: Fokusi në krijimin e kushteve, e jo tek shifrat
19.01.2021 17:46
Qeveria duhet të krijojë kushtet për rritje ekonomike dhe jo të fokusohet tek përqindjet...

Qeveria duhet të krijojë kushtet për rritje ekonomike dhe jo të fokusohet tek përqindjet e rritjes ekonomike. Afaristi, Menderez Kuçi, në një prononcim për TVM2, theksoi se prognozimet e fundit të qeverisë për rritje ekonomike mund t’i shërbejnë vetëm kësaj të fundit për t’u mbushur me kurajo.
Sipas tij, kriza e pandemisë të mos shfrytëzohet si arsye, pasi tashmë një vit ka kaluar dhe janë të njohura pasojat se çfarë duhet të ndërmerret.
“A do të mund të realizohen prognozat e saj, Qeveria gjithmonë do të varet nga masat që duhet t’i përcjellë, ashtu siç bëjnë edhe vendet tjera, duke mos humbur kohë në krijim politikash ditore shumë, por duke u fokusuar në segmentet ku vërtet ajo mund më mirë të japë rezultate, e kam fjalën ndihmat ekonomike, të cilat duhet të jenë sipas segmenteve, sektorëve pa përkatësi etnike, apo ndoshta edhe duke mos iu referuar asaj se ky sektor është i madh dhe duhet suportohet, por duke pasur fokus atë sektor ku fuqia punëtore është më e madhe.”,- deklaroi afaristi, Menderez Kuçi.
Mbështetja financiare, në fokus punëtorët
Mbështetja financiare ndaj biznesit duhet të vazhdojë, por në fokus duhet të jetë fuqia punëtore, kjo e fundit të mos lihet pa mbështetje në asnjë pako që përgatit qeveria.
“Fuqia punëtore duhet të vazhdojë të mbështetet, pasi jo të gjitha segmentet do të mund të gjenerojnë rroga, por çdo punëtor që është në punë duhet të sigurohet që do të marrë një rrogë e cila do të mundet t’i përballojë shpenzimet familjare. Kjo është një fokus i veçantë, pjesa tjetër është që shteti, gjegjësisht qeveria, në vazhdimësi, në bazë të kërkesave, mundësive dhe analizave që ajo do t’i bëjë.”,- u shpreh afaristi Kuçi.
Kuçi gjithashtu theksoi se ekzekutivi duhet të vazhdojë të bëjë reduktimin e shpenzimeve joproduktive, gjegjësisht shkurtimin e lukseve dhe të njëjtat mjete t’i dedikojë në investimet kapitale që janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik.
Sipas skenarit të fundit të Qeverisë, me përmirësimin gradual të pasqyrës epidemiologjike dhe shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese dhe shërbyese është projektuar rritje ekonomike prej 4.1%.
ZEKIRJA MEXHITI
