Ekonomi
Forumi i tretë mes Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Francës
17.11.2014 15:30
Kompanitë franceze dhe kompanitë nga Maqedonia po shqyrtojnë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit...

Kompanitë franceze dhe kompanitë nga Maqedonia po shqyrtojnë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, një nga këto mundësi është edhe forumi i tretë mes odave ekonomike të të dy vendeve, që do të mbahet të enjten, ku do të marrin pjesë përfaqësues të kompanive franceze, të cilat janë prezente në Maqedoni.
“Në vitin 2013 vendosëm të formojmë forume të vërteta, apo takime, përmes të cilave diskutohet si të bëhemi më efikas, apo si ta rrisim bashkëpunimin mes 2 vendeve, por gjithashtu forumi shërben për shkëmbimin e praktikave të mira në mes kompanive”- deklaroi ambasadorja e Francës, Lorens Oer.
Në këtë forum, veç më janë paralajmëruar se do të marrin pjesë mbi 20 kompani vendase, theksojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
“Së bashku bëjmë përpjekje për rritjen dhe thellimin e shkëmbimit të jashtëm tregtar, por ajo që neve na gëzon më shumë është rritja e eksportit të produkteve maqedonase në Republikën e Francës”- tha sekretari gjeneral i Odes Ekonomike, Jelisaveta Georgievska.
Sipas të dhënave për nëntë muajt e parë të këtij viti, shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve arriti në 98 milionë dollarë, prej të cilave 54.3 milionë dollarë janë nga ana e Maqedonisë, shifër e cila krahasuar me vitin 2013 shënon ulje të dyfishtë në shkëmbimin tregtar.
ERSAN PAJAZITI
