Botë
Serbi, vaksinim masiv kundër Covid-19; OBSh: Po bëhet shpërndarje e pabarabartë e vaksinave
19.01.2021 19:38
Serbia nisi vaksinimin masiv kundër Covid-19...

Lajmi është konfirmuar nga kryeministrja e vendit, Ana Brnabiç, e cila ka bërë të ditur se do të vaksinohen mësuesit, anëtarët e ushtrisë, policët dhe gazetarët.
“Ne tashmë kemi filluar të ftojmë njerëzit që kanë shprehur interes të vaksinohen. Ju lutemi aplikoni sa më shumë dhe më shpejt në mënyrë që ta kryejmë këtë proces në mënyrë efikase dhe t’i kthehemi jetës normale.”,- tha Brnabiç.
Serbia ka vënë në funksion një portal online ku njerëzit mund të regjistrohen dhe të zgjedhin se cilën nga vaksinat do të marrin. Deri më tani në Serbi janë në dispozicion tre vaksina, Pfizer/Biontech, ajo Sputnik V ruse dhe vaksina kineze Sinovac Biontech.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar sjelljen e vendeve të pasura duke paralajmëruar se shpërndarja e pabarabartë e vaksinave kundër COVID-19 do të zgjasë edhe më shumë pandeminë.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanoms, ka deklaruar se prodhuesit e vaksinave kanë ndjekur interesin, aty ku fitimet janë më të larta, në vend që të kërkonin miratimin global me OBSh-në.
“Më shumë se 39 milion doza të vaksinave janë administruar tani në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Vetëm 25 doza janë dhënë në një vend me të ardhura më të ulëta. Jo 25 milionë, jo 25,000, vetëm 25. Vendet më të pasura kanë blerë dhe grumbulluar të gjitha vaksinat e disponueshme.”,- u shpreh drejtori i pergjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanoms.
Sipas drejtorit të OBSh-së, bota është në prag të një dështimi katastrofal moral – dhe çmimi i këtij dështimi do të paguhet me jetë. Që nga fillimi i pandemisë, virusi Korona u ka marrë jetën mbi dy milion njerëzve në botë, ndërsa numri i të infektuarve po afrohet në rreth 96 milion njerëz, prej të cilëve rreth 53 milion janë shëruar.
REJHANE BUSHI METAJ
