Fjalimi lamtumirës, Trump uroi administratën e re
Presidenti amerikan Donald Trump....

Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim lamtumire të bërë publik të martën, bëri thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, por nuk e përmendi emrin e pasardhësit të tij demokrat.
Trump nuk e ka pranuar kurrë plotësisht humbjen ndaj demokratit Biden, i cili fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 votave të zotit Trump.
Presidenti në largim nuk do të takohet me zotin Biden para inaugurimit të demokratit në mesditën e së mërkures.
Në vend të takimit me Biden, Donald Trump ka planifikuar udhëtimin për në Florida, ku ai pritet të banojë pas mbarimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Trump bëri fushatë me premtim për ta bërë “Amerikën të madhe përsëri” por largohet nga detyra në një kohë kur mbi 400,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi, rrezikun e të cilit ai e minimizoi, ekonomia vazhdon të vuajë pasojat e pandemisë dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkura me aleatët e saj kryesorë vazhdojnë të jenë të tensionuara.
Dhuna, e cila pasoi një tubim në të cilin Presidenti Trump përsëriti akuzat e rreme për manipulim të zgjedhjeve, ka lënë në hije çdo përpjekje për të nënvizuar trashëgiminë e presidentit në ditët e tij të fundit në detyrë.
