Dita e parë e gjysmëvjetorit të dytë, Unioni i Nxënësve bojkoton mësimin online
Pas pushimit trejavor të dimrit....

Pas pushimit trejavor të dimrit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme sot kthehen në mësim, disa në bankat shkollore, ndërsa të tjerët para kompjuterëve, për të vazhduar gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2020/2021.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ky model i kombinuar u zhvillua me sukses në gjysmëvjetorin e parë dhe për këtë arsye nuk do të ndryshojë në pjesën e dytë të vitit shkollor.
“Konform protokolleve, mësimi edhe gjatë këtij gjysmëvjetori do të vazhdojë ashtu siç u mbajt në gjysmëvjetorin e parë, pra mësim i kombinuar, një pjesë e klasave do të vazhdojnë të ndjekin procesin edukativo-arsimor përmes platformës online dhe të tjerët me prani fizike”, thanë nga MASh.
Në ndërkohë, maturantët e të gjithë shkollave të mesme të vendit kanë paralajmëruar që prej sot do ta bojkotojnë procesin arsimor për shkak se, siç thonë nga Unioni i Nxënësve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka marrë parasysh kërkesat e tyre.
Unioni i Nxënësve kërkon nga Ministria e Arsimit që në testin e maturës shtetërore të zvogëlohet numri i lëndëve nga katër në dy lëndë edhe atë gjuhë amtare dhe një lëndë zgjedhore sipas dëshirës së maturantëve.
