Kuvend, me 62 vota u miratua operacioni i regjistrimit

21.01.2021 14:51

Maqedonia e Veriut në prill do të zhvillojë regjistrimin e popullsisë....

Maqedonia e Veriut në prill do të zhvillojë regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive. 62 deputetë, përfshi opozitën shqiptare, përkrahën ligjin, ndërkaq deputetët e VMRO–DPMNE-së bojkotuan votimin.

Nga radhët e tyre në sallë ishte i pranishëm vetëm koordinatori, Nikolla Micevski, i cili në momentet e votimit u përplas me kryeparlamentarin Xhaferi.

Micevski: Regjistrimi nuk do të jetë fer dhe objektiv

“Shumica e vërejtjeve, në mesin e të cilave edhe nënshkrimi i lidhur të drejtorit dhe zëvendësit ka ndonjë rol në këtë zgjidhje ligjore dhe regjistrimi nga statistikor kalon në politik, që s’do jetë objektiv,  fer dhe relevant. Efektet do të shihen së shpejti ndërkaq ju do të duhet të mbartni përgjegjësi.”,- deklaroi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Nikolla Micevski.

“Nënshkrimi i lidhur është produkt i Përzhinës, jashtë institucioneve dhe është shndërruar në praktikë.”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Rexhepi: Do të mbikëqyrim procesin e regjistrimit

Deputeti, Skender Rexhepi, tha se opozita shqiptare ishte e gatshme të votojë edhe seancën e kaluar duke ripërsëritur vërejtjet dhe sugjeruar se procesi s’do i ik syrit të opozitës.

“Ne do ta mbikëqyrim procesin e regjistrimit për faktin që këtu bëhet fjalë vetëm për të drejtat e shqiptarëve. Ne jemi kategoria që në kushtetutë jemi shkelur. Ne jemi kategoria që në kushtetutë quhemi 20%, e jo gjuha shqipe. Grafi etnik, do të kishim kërkuar të largohet nga propozimi ligji, në fakt që kishim bë ndryshime kushtetuese. Thjesht me një ndryshim shumë të vogël gjitha gjakrat do të ishin qetësuar dhe gjithçka do të kishte arritur në vendin e vet dhe procesi i regjistrimit do bëhej ashtu siç e bën e gjithë Europa.”,- tha deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi.

Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive do të zhvillohet nga 1 prilli deri më 21 prill në 50 rajone të regjistrimit, me regjistrues nga të gjitha etnitë, të përfaqësuara drejtë dhe në mënyrë adekuate. (Meral Ismaili, TVM2)