IPA2, i vë në dispozicion Maqedonisë 664.2 milionë euro
Maqedonia në periudhën 2014–2020, ka fituar mundësinë që të shfrytëzojë 664,2 milionë euro nga fondet paraqasëse të programit IPA2 të Bashkimit Evropian......

Sipas zëvendëskryeministrit, Fatmir Besimi, gjatë periudhës së kaluar, institucionet shtetërore në mënyrë aktive kanë punuar në ndërtimin e dokumentit nacional strategjik IPA2, ku ishte i inkuadruar edhe sektori qytetar, me qëllim të arritjes së transparencës më të madhe gjatë procesit të krijimit të këtij dokumenti.
“Dokument i cili peshon rreth 664,2 milionë euro, ndryshe e thënë, rreth 320 euro për kokë banori të Republikës së Maqedonisë, para nga taksapaguesit evropian për agjendën evropiane të RM-së, përfshirë këtu edhe reformat e kësaj agjende dhe investime, të cilat do ta bëjnë vendin tonë të jetë më afër standardeve të BE-së”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
“Njëkohësisht, kjo e rrit edhe përgjegjësinë tonë, që këto mjete të shfrytëzohen maksimalisht dhe para së gjithash në zbatimin e qëllimit strategjik dhe ai është anëtarësimi i plotë në BE. Unë personalisht më shumë herë në takimet bilaterale me kolegët e mi nga parlamentet e shteteve anëtare të BE-së dhe në takime multilaterale, kam potencuar se RM-ja dëshiron të bëhet anëtare e plotë në BE, por gjatë asaj të jetë maksimalisht konkurrente me shtetet tjera anëtare”- tha kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski.
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, është shprehur që me IPA2 fondet unioni fokusoi përkrahjen në luftën kundër korrupsionit dhe në reforma tjera politike.
“Rreth 664,2 milionë euro do të shfrytëzohen që të ballafaqohemi me sfidat, harmonizim me të drejtën e BE-së dhe parimet tjera, me qëllim që të rritet ndikimi, ndihma nga BE do të jetë e mjaftueshme që t’i ndihmojë vendit për t’i plotësuar standardet për anëtarësim. Përmes sigurimit të lidhjeve përkatëse do të arrijmë efikasitet më adekuat. Raporti i Progresit për këtë vit theksoj se është e nevojshme të punohet në sundimin e të drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, kështu që me IPA2 vendosëm t’i përkrahim reformat politike dhe ekonomike, si dhe qëndrueshmërinë në 7 vitet e ardhshme”- tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Përkrahjen financiare të BE-së përmes fondeve IPA e ka vlerësuar si tepër të rëndësishme edhe zëvendëskryeministri i Financave, Zoran Stavrevski, i cili potencoi se në qoftë se BE-ja nuk do t’i ndante këto mjete, atëherë Maqedonia do të duhej t’i sigurojë ato nga buxheti i shtetit. Konstatimet e këtilla erdhën në debatin e zhvilluar në Komisionin Kuvendor për Eurointegrime, në të cilin morën pjesë përfaqësues të ndryshëm qeveritar dhe të huaj. (Mefail Ismaili, TVM2)
