LSDM: finalizohet pakoja e pestë ekonomike, VMRO-DPMNE: Qeveria ka rritur borxhin publik
LSDM ka dalë me vlerësim se Qeveria...

LSDM ka dalë me vlerësim se Qeveria po vazhdon me mbështetje reale për ekonominë e vendit. Nga kjo parti thonë se janë aprovuar dy grupe të aplikacioneve për kredi nga linja pa interes e KOVID-3 e që janë të destinuara për ndërmarrjet mikro dhe të vogla. Sipas Kostadin Kostadinovit, deri më tani janë aprovuar gjithsej 1,276 kërkesa për kredi nga ndërmarrjet që punësojnë 9,450 persona, në një shumë totale prej 14,7 milion euro. Ai tha se ka përfunduar përgatitja edhe e pakos së pestë ekonomike.
“Përfundon përgatitja e paketës së pestë të masave ekonomike për konsolidimin e ekonomisë. Tashmë është miratuar masa e parë - heqja e detyrimeve të importit - normat doganore për 71 lëndë të para individuale të cilat përdoren në industrinë e përpunimit. Kjo masë, me vlerë prej 7.1 milion euro, synon të lehtësojë kushtet e funksionimit të këtyre kompanive dhe për të rritur konkurrencën e tyre në kushte të pandemisë.”,- tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.
Por, nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar pushtetin se ka rritur borxhin publik dhe ka lënë në rrugë qytetarët pa punë.
“Zoran Zaev është kryeministri më i pasuksesshëm i cili arriti të linte 55,000 njerëz pa punë për vetëm një vit. Ai për një vit e rriti borxhin me 1.5 miliardë euro dhe ekonomia dhe qytetarët nuk panë asnjë përfitim. Në vend të përfitimeve dhe përjashtimeve, ne kemi detyrime të reja, siç janë taksat e reja në autostradën Shkup - Shtip. Nuk ka investime të reja, kështu që prezantohen blerjet komerciale të kompanive si investime të huaja. Diçka që është praktikë e zakonshme në botë dhe ndodh çdo ditë, Qeveria e paraqet atë si kulmin e arritjeve.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Naim Ramadani, TVM2)
