Strugë, nisi gjysmëvjetori i dytë me mësim online

21.01.2021 18:46

Sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor....

Sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor. Për shkak të pandemisë, sikurse fillimi i vitit në tetor, edhe këtë gjysmë vjetor shumica e nxënësve do të ndjekin mësimin në distancë.

Nxënësit e shkollave të mesme dhe disa shkollave fillore në Strugë, në fillim të vitit bojkotuan mësimin online si dhe protestuan kundër, por me përkeqësimin e gjendjes epidemiologjike në vend, ata ranë dakord që mësimi të ndiqej në distancë deri në fund.

Nga gjimnazi “Ibrahim Temo” thanë se mësimi sot ka filluar, por maturantët shqiptar dhe maqedonas kanë bojkotuar mësimin, ndërsa pala turke janë kyçur në mësim. Megjithatë, drejtoresha e gjimnazit, Besime Jonuzi, thotë se shpreson që edhe maturantët ditët në vazhdim do të kyçen në mësim.

“Në ndërrimin e parë kanë qenë vitet e dyta dhe të katërta d.m.th. maturantët dhe maturantët te pala shqiptare dhe te pala maqedonase kanë bojkotuar mësimin, kurse te pala turke nuk e kanë bojkotuar por i përkrahin shokët e tyre. Në vitin e dytë në të gjitha klasat, është zhvilluar mësimi normal, sipas informacioneve që japin mësimdhënësit në orë mësimore. D.m.th. te vitet tjera çdo gjë ka qenë në rregull, përveç maturantëve.”,- deklaroi drejtoresha e Gjimnazit “Ibrahim Temo”, Besime Jonuzi.

Për shkak të disa punimeve në gjimnaz, profesorët sot kanë realizuar mësimin online nga shtëpia. Ndërsa në Shkollën Fillore “Vëllezërit Milladinovci” Strugë, deri në klasën e tretë, mësimi u mbajt me prezencë fizike, ndërsa pjesa tjetër e nxënësve mbajnë mësim online.

Nga shkolla fillore thanë se si ditë e parë çdo gjë ka filluar në rregull, sepse nxënësit tashmë janë mësuar me këtë situatë.

“Nga klasa e parë deri në të tretën fillojmë me prezencë fizike, nga e katërta deri në të nëntën me online. Mësimi zhvillohet në mënyrë të njëjtë, nxënësit të ndarë në dy grupe, ndërrimi i parë dhe i dytë që numri të jetë më i vogël. Kushtet janë të kompletuara, ngrohje në shkollë kemi, mjetet higjienike i kemi të furnizuara të gjithë.”,- theksoi drejtoresha e shkollës fillore, Laura Shapte.

Mësimdhënësit i apelojnë nxënësit, sidomos maturantët, që të ndjekin mësimin, me qëllim që të mos kenë probleme në provimet e maturës në fund të vitit. Ndërkohë, edhe në Shkollën e Mesme “Niko Nestor” në Strugë ka pasur disa nxënës që kanë bojkotuar mësimin, por jo në mënyrë të organizuar siç ndodhi në fillim të vitit shkollor. (Ilmije Zhaku, TVM2)