ASh: Zaev e mashtroi Lëvizjen Besa
Aleanca për Shqiptarët e ka akuzuar kryeministrin, Zoran Zaev...

Aleanca për Shqiptarët e ka akuzuar kryeministrin, Zoran Zaev, se e mashtroi Lëvizjen Besa, si partner të Koalicionit për çështjen e përkatësisë etnike në letërnjoftime.
“Ligji i ri për letërnjoftime dhe dokumente të udhëtimit, sipas deklaratave të fundit të kryeministrit Zaev, nuk do të përfshijë grafën etnike. Arsyetimi i tij na qenka krejtësisht teknik dhe se do të duhet të presim për “tender” për operator të ri të dokumenteve biometrike! Prej kur e drejta për të përcaktuar etninë duhet të kaloj në “tender”? Ku mbeti marrëveshja dhe premtimi juaj i përbashkët në fushatën zgjedhore të koalicionit “МОЖЕМЕ” ndaj shqiptarëve, apo ky ishte mashtrimi i dyfishtë i radhës nga LSDM-BESA? Deri kur çdo e drejtë e shqiptarëve do të duhet të kaloj nëpër tenderët tuaj, me qëllim përfitimin financiar? Sa i përket partnerit tuaj të koalicionit, Lëvizja Besa, pyesim ata se cila është arsyeja e qëndrimit të mëtutjeshëm në Qeveri, kur i vetmi zotim dhe arsyetim i tyre për koalicionim nën ombrellën “МОЖЕМЕ”, ka qenë futja e grafës së etnisë në dokumentet personale. Prandaj, si Aleancë për Shqiptarët kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie për çdo dështim dhe mashtrim tuajin para qytetarëve”, thuhet në komunikatë.
