“Kovaks”, gjatë këtij viti 1,8 miliard vaksina për 92 vende
Sistemi për distribuim të vaksinave “Kovaks”....

Sistemi për distribuim të vaksinave “Kovaks” planifikon të dërgojë 1,8 miliardë doza në vendet e varfra këtë vit dhe pret që vendet më të pasura t’i përmbushin obligimet e veta në gjysmën e dytë të këtij viti.
“Kovaks”, që është dizajnuar t’u mundësojë të gjithëve qasje të barabartë drejt vaksinave kundër Covid-19, e të cilin bashkërisht e udhëheqin Aleanca për vaksina GAVI, Organizata botërore e shëndetësisë dhe të tjera, kumtoi se 1,8 miliardë doza do t’u dërgohen 92 vendeve të cilat plotësojnë kushte dhe se do t’u përgjigje përafërsisht 27 për qind të popullatës në ato shtete.
Derisa sa përmes “Covax” mekanizimit bëhen përpjekje për sigurim të vaksinave për të gjithë, shkencëtarët nga Universiteti i “Oxfordit” po përgatiten të prodhojnë versione të tjera të vaksinës sa më shpejt të jetë e mundur, të cilat do të jenë në gjendje të luftojnë llojet edhe më infektuese të virusit.
Ekipi që qëndron pas vaksinës nga “Oxford” dhe “AstraZeneca” njoftuan se po kryejnë studime dhe se janë duke monitoruar nga afër ndikimin e llojeve të reja të koronavirusit të zbuluar në Britani të Madhe, Afrikën e Jugut dhe Brazil dhe po vlerëson proceset e nevojshme për të përshtatur vaksinat sa më shpejt të jetë e mundur për të luftuar mutacionet.
Hungaria jep dritë jeshile për “Sputnik”
Ndërkohë Hungaria është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që jep miratimin paraprak për përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit “Sputnik”.
Siç shkruan BBC, të enjten, shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se vaksinës ruse dhe asaj nga “Oxford”-“AstraZeneca” i ishte dhënë drita jeshile nga autoritetet shëndetësore vendase.
Derisa vazhdon procesi i vaksinimit në shumë vende të botës situata epidemiologjike vazhdon të mbetet serioze sidomos pas varianteve të reja të virusit. Në Gjermani edhe pse numri i rasteve të reja me koronavirus ka rënë ndjeshëm, ku u raportuan vetëm 20 398 raste të reja, autoritetet kanë njoftuar se po shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së kufijve të saj me vendet fqinje nëse këta të fundit nuk reagojnë shpejt në parandalimin e përhapjes së virusit. Shefi i zyrës së kancelares gjermane Angela Merkel, Helge Braun theksoi se është me rëndësi të mbahet në kontroll niveli i infektimit që të munden shtetet të mbrohen nga mutacionet e reja të Kovid-19, që me shpejtësi përhapen.
Në Zvicër 47 persona kanë vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit, ndërsa 2205 persona u regjistruan pozitivë me koronavirus nga testimi i 28.094 mostrave.
Në Portugali situate vazhdon të mbetet edhe më serioze.
Qeveria ka njoftuar se do të mbyllë të gjitha shkollat dhe universitetet, në mënyrë që të mos përkeqësohet situata me pandeminë e Covid-19. Në total bota regjistron 25 milion raste aktive me virusin Korona. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
