Brenda 15 ditësh, vendoset për deputetët e opozitës

17.11.2014 17:36

Në afat prej 15 ditësh, Komisioni Parlamentar për Çështje të Imunitetit dhe Mandateve do të duhet të shqyrtojë raportin për marrjen e mandateve të deputetëve të opozitës, të cilët prej 6 muajsh kanë refuzuar të ulen në karriget e kuvendit.....

Raporti për mungesën e të zgjedhurve të popullit ka qenë temë diskutimi gjatë takimit në mbledhjen e koordinatorëve të grupeve parlamentare.

Konkluzat që do t’i miratojë Komisionin Parlamentar për Çështje të Imunitetit dhe Mandateve do t’i përcillen kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovskit, i cili më pas është i obliguar që t’i vejë në rend dite. Mirëpo deri më tani nuk është njoftuar se kur do t’i dorëzohet raporti  komisionit amë, si dhe për kur është caktuar mbledhja e komisionit për këtë çështje.

Raporti mbi praninë e deputetëve u kërkua pasi që më 10 nëntor janë mbushur 6 muaj nga verifikimi i 34 mandateve të opozitës, të cilët vazhdojnë të mos jenë të pranishëm në kuvend. Ata edhe pas 6 muajve kanë refuzuar të kthehen në punën e kuvendit.

Sipas rregullores kushtuese, në çdo 6 muaj verifikohet pjesëmarrja e deputetëve në parlament, ndërsa kuvendi me shumicë prej 2/3 mund t’i marrë mandatin çdo deputeti, i cili për 6 muaj rresht pa arsye ka munguar. (Naim Ramadani, TVM2)