Maqedoni
Fillon shpërndarja e 1349 administratorëve, Grubi: S’kanë më të drejtë të zgjedhin
22.01.2021 18:17
Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive përfundimisht do të bëjë shpërndarjen...

Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive përfundimisht do të bëjë shpërndarjen, përkatësisht sistemimin e administratorëve të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, të cilët për vite të tëra nuk ishin sistemuar nëpër vende të punës.
Ministri Grubi njoftoi se 1349 administratorë do të sistemohen në 237 institucionet të ndryshme shtetërore, konformë planit të miratuar nga Qeveria për transferimin e nëpunësve administrativë të punësuar përmes programit K5. Konformë këtij plani, të punësuarit nuk do të kenë opsion që të zgjedhin se në cilin institucion duan të punojnë. Pjesa dërmuese e administratorëve janë ekonomistë dhe juristë.
“Transferi bëhet nëpërmjet sistemimit të të punësuarit në vendin e punës në nivel të njejtë, përkatësisht në nivelin e punës për të cilin i punësuari i plotëson kushtet e përgjithëshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin e sistematizimit të vendeve të punës në institucionin në të cilin transferohen. Në bazë të planit për transfer institucionet miratojnë vendime për sistemimin e të punësuarve, ndërsa personat udhëheqës në ato institucione janë të obliguar të fillojnë procedurën e harmonizimit të akteve për sistematizim të vendeve të punës, në afat prej 30 ditëve nga miratimi i planit”, u shpreh ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive Artan Grubi.
Administratorët nuk kanë më të drejtë të zgjedhin vend tjetër pune. Grubi sqaroi se, ky është opsioni i vetëm dhe ata duhet ta pranojnë vendim-udhëzimin dhe të fillojnë procedurën për çlajmërim nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe të paraqiten në institucion ku janë shpërndarë. Nëse mbi çfarëdo baze, cilido prej tyre nuk e merr vendimin në afat prej 7 ditësh, atëherë atij i ndërpritet vendi i punës në këtë Ministri.
Grupi më i madh i administratorëve do të transferohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht 134 administratorë; 74 do të shpërndahen në Drejtorinë Doganore; Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë do të pranojë 41 administratorë ndërsa Agjencia për Kadastër, 39. Administratorët e tjerë do të shpërndahen nëpër inspektorate, Agjenci të ndryshme, në gjykata dhe prokurori si dhe institucione të tjera.
SHPËTIM NUREDINI
