Shënohet 70 vjetori i çlirimit të Tiranës
70 vjetori i çlirimit të Tiranës edhe këtë vit është përkujtuar i ndarë nga forcat politike.....

Përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore kanë bërë homazhe para monumentit të “Ushtarit të panjohur”, ndërsa përfaqësues të Bashkisë së Tiranës në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”.
Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, tha se dëshmorët e luftës duhet të përkujtohen dhe nderohen, pasi është merita e tyre për çlirimin e Tiranës dhe gjithë vendit.
Ceremonia u udhëhoq nga nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo, në mungesë të kryebashkiakut Basha, i cili ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partive Popullore Evropiane.
Bozdo tha se shembulli i atyre që dhanë jetën për lirinë duhet të shërbejë si sfidë për një vend demokratik.
Edhe në këtë përvjetor nuk munguan fotografitë e ish-diktatorit, Enver Hoxha, të cilat i mbanin në duar veteranët e luftës dhe dashamirës të figurës së tij.
Deputeti i PD-së, Edi Paloka, tha se Rama e Meta, me foto të Hoxhës pas shpatullave të tyre kanë fyer kujtimin e qindra të vrarëve e të internuarve nga diktatori.
Lufta për çlirimin e Tiranës u zhvillua në fund të tetorit, deri më 17 nëntor të vitit 1944 dhe shënon aktin më të rëndësishëm politik e ushtarak, pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. (Luljeta Ndoka, TVM2)
