Kujdesi i prindërve parandalon delikuencën e fëmijëve

17.11.2014 18:02

Jeta dinamike dhe angazhimet e shumta profesionale kanë ndikuar që prindërit të mos tregojnë kujdes të mjaftueshëm ndaj fëmijëve të tyre.........

Kështu u shprehën sot në një konferencë për media ministrit i Drejtësisë, Adnan Jashari dhe kryetari i Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, Mile Ginovski.

Projekti është realizuar në dhjetë shkolla, ndërsa është zbatuar tek fëmijët e moshës prej 10 deri në 14 vjeç, gjegjësisht tek grupmoshat të cilat akoma nuk kanë filluar të shfaqin delikuenca, u shpreh ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

“Projekti ka përfshirë gjithsej 350 nxënës dhe prindër, ndërsa praktikat tregojnë se implementimi i këtij programi nëpër shkolla ka pasur ndikim të madh në ngritjen e vetëdijes tek familjet, për të thelluar kujdesin dhe bashkëpunimin mes anëtarëve në një familje”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari. 

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, Mile Ginovski, potencoi se në bazë të anketave të bëra, prindërit dhe fëmijët kanë deklaruar se mungesa e bashkëpunimit sjellë rezultate të padëshiruara tek të dyja palët.

“Sipas rezultateve të të anketuarve, shohim se prindërit janë tepër të preokupuar në përmbushjen e kërkesave materiale, sa që nuk  iu mbetet shumë kohë për t’u kujdesur aq sa duhet për përkrahjen dhe  mbajtjen në kontroll  të fëmijëve të tyre. Nga ana tjetër, fëmijët kanë theksuar se është mungesa dhe afërsia e prindërve, është ajo që i bën ata të ndihen të pasigurt dhe të marrin veprime të gabueshme në jetë”- tha kryetari i Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, Mile Ginovski.

Projekti në fjalë pritet që të gjejë zbatim edhe në planprogramet shkollore për vitin e ardhshëm dhe parasheh vendosjen e rregullave dhe kufijve në familje, masa dhe  mjete adekuate që duhet shkollat t’i implementojnë për përmirësimin e gjendjes dhe gjithashtu rekomandon shpeshtimin e mbledhjeve prindërore nëpër shkolla. (Valbon Bexheti, TVM2)