Debat mbi sfidat e studentëve

17.11.2014 18:06

Me rastin e “Ditës ndërkombëtare të studentëve”, me mbështetje të Fondacionit “Dauti”, u organizua debat për studentët me temë “Sfidat studentore”, me qëllim që studentët e këtij nënqielli të shpalosin problemet me të cilat hasen gjatë studimeve......

Pjesëmarrës në këtë debat ishin studentë nga universitetet publike dhe ato private.

Drejtori i Fondacionit “Dauti”, Ilir Idrizi, tha se ky fondacion në platformën e vet ka zhvillimin dhe arsimin e kulturës dhe prandaj ka programe të mirëfillta, ku çdoherë përcjell zhvillimin dhe avancimin e studentëve.

“Pikërisht 17 nëntori është “Dita ndërkombëtare e studentit” dhe është e njohur si ditë ndërkombëtare dhe paraqet sfidat me të cilat ballafaqohen studentët në të gjithë botën. Edhe ne si fondacion, në bashkëpunim me disa bursist të fondacionit, e pamë të udhës që të organizojmë edhe këtë eveniment”- deklaroi drejtori i Fondacioni “Dauti”, Ilir Idrizi.

“Sot ky manifestim kryesisht tenton të shpalos sfidat me të cilat përballen studentët e universiteteve tona që gravitojnë këtu në Shkup. Pjesëmarrja ime është me qëllim të shpalos sfidat që studentët e Universitetit Ballkanik hasin gjatë gjithë procesit të studimeve”- tha studentja e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Tirana Ahmeti.

“Qëllimi i pjesëmarrjes time është që të jap një mesazh, sepse hasim probleme të ndryshme pranë Universitetit të USHT-së, të cilat nuk janë edhe aq tragjike, por ndërkohë le t’i shpalosim edhe idejat tona”- u shpreh studenti i USHT-së, Besir Ibishi.

Ky fondacion ka për qëllim detektimin e sfidave me të cilat ballafaqohen studentët, prandaj konkluzat nga debati i sotëm fondacioni do t’i drejtojë tek institucionet përkatëse, siç është Ministria e Arsimit dhe tek senatet e universiteteve përkatëse, që të jenë në dijeni se studentët, në aspektin studentor, me çfarë sfida ballafaqohen, që në të ardhmen të ketë zgjidhje. (Gyltene Sinani, TVM2)