Avokati i popullit, opozita shqiptare kundër emërimit të Ziberit

25.01.2021 16:56

Propozimi që Naser Ziberi të emërohet avokat i popullit....

Propozimi që Naser Ziberi të emërohet avokat i popullit, sot para deputetëve. Opozita shqiptare kërkoi që propozimi të hiqet nga rendi i ditës duke e konsideruar atë si figurë politike pas kandidimit për kryeministër dhe jo të pavarur që do t’i mbrojë interesat e qytetarëve.

“Ky propozim i avokatit të popullit nuk është as i pavarur dhe nuk mund as t’i mbrojë interesat e qytetarëve karshi institucioneve shtetërore, prandaj ne nuk do ta përkrahim, por do të tregojmë fakte dhe dëshmi që e lidhin dhe e bëjnë atë shumë të varur politikisht dhe partiakisht dhe e bëjnë shumë të paaftë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve karshi institucioneve shtetërore dhe atyre lokale.”,- tha deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi.

Nga Aleanca për Shqiptarët konsiderojnë se nevojitet ripërsëritje të procedurës që sipas tyre ishte jotransparente.

“Të ndërpritet e gjithë procedura e deritashme e zgjedhjes së avokatit të popullit, të përsëritet procedura, të hapim debatin e mirëfilltë publik në mënyrë që të vijmë deri tek një figurë e cila në mënyrë dinjitoze do ta kryej funksionin ashtu siç I takon avokatit të popullit.”,- theksoi deputeti i ASh–së, Syrija Rashidi.

Mexhiti: Ziberi, emri i qëlluar për ombudsman

Deputeti, Izet Mexhiti, nga BDI, konsideron se Ziberi është emri më i qëlluar, nisur nga aspekti profesional, por nuk saktësoi se a do ta kandidojnë si kryeministër për 100 ditë qeverisje ashtu siç kishin premtuar.

“Nuk kam asnjë dilemë që zotëri Ziberi mund ta ushtron edhe postin e avokatit të popullit në mënyrë të shkëlqyer dhe kjo do të jetë arsyeja që e votoj sot, por kjo nuk e përmbyll dilemën tuaj dhe të qytetarëve se duhet një sqarim më I mirë para qytetarëve për çështjen e zotit Ziberi si kryeministër shqiptarë.”,- deklaroi deputeti i BDI–së, Izet Mexhiti.

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ndërpreu dhe më pas iu rikthye seancës për zgjedhje të Naser Ziberit avokat i popullit. Vijon debati ku për diskutim janë paraqitur dhjetëra deputetë.

Emërimi i Ziberit vjen pasi bartësi i deritanishëm i funksionit avokat i popullit, Ixhet Memeti, u emërua anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë. (Meral Ismaili, TVM2)