Takim i ministrave të jashtëm të BE-së, prioritet lufta ndaj Covid-19 dhe sigurimi i vaksinës
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian....

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel për të diskutuar mbi çështjen e azhurnimit të strategjisë së shpërndarjes së vaksinave deri tek vendet e treta, para së gjithash për Ballkanin perëndimor dhe vendet e treta.
Nën kryesimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, Josef Borell, pika e parë që do të diskutohet është strategjia e sigurimit të vaksinave anti Covid, por edhe përpjekjet tjera të BE-së për të siguruar një qasje fer dhe të barabartë deri tek vaksinat në nivel global.
“Do të koncentrohemi tek hartimi i një strategjie për menaxhim dhe përballje me pandeminë Covid-19 tek vendet e treta, por dhe tek vendet anëtare të BE-së.”,- deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme, Josef Borell.
“Do të bisedojmë për strategjinë e shpërndarjes së vaksinave deri tek partnerët e BE-së. Ashtu siç e dini, Rumania ka dhënë mbështetje të plotë për miratimin e një mekanizimi për mbështetje për vendet nga Ballkani perëndimor. Mendoj që është një iniciativë e rëndësishme për shkak se BE nuk mund të jetë e shëndoshë nëse edhe fqinjët tanë nuk janë të sigurtë.”,- tha ministri i punëve të jashtme të Rumanisë, Bogdan Aurescu.
Çështja me kompaninë “Astra Zeneca” gjithashtu pritet të jetë temë e nxehtë pas njoftimit të kompanisë e cila nuk mund të përmbush marrëveshjen e nënshkruar paraprakisht me BE-në për furnizim me 80 milionë vaksina anti Covid, derisa Italia njoftoi se do të ngre padi ndaj kompanisë.
Vaksina e kompanisë “Astra Zeneca” llogaritet si vaksina kyçe në luftën ndaj pandemisë për shkak të çmimit më të volitshëm që ka vaksina në krahasim me kompanitë tjera që gjithashtu kanë prodhuar vaksinën.
Ministrat do të diskutojnë edhe koordinimin e masave të udhëtimit që vendet të zbatojnë në kuadër të luftës kundër pandemisë.
Do të bisedohet për çështje prioritare si marrëdhëniet me Rusinë pas arrestimit të opozitarit rus, Alexei Navalny, dhe marrëdhëniet transatlantike pas fillimit të detyrës së presidentit të 46-të të SHBA-së, Joe Biden, situata e emigrantëve në Bosnjë e Hercegovinë, zhvillimet në vendet e Gjirit, situata në Hong Kong dhe Venezuelë, si dhe marrëdhëniet me Britaninë e Madhe pas Brexit-it.
Gjithashtu në axhendën e ministrave do të jenë edhe marrëdhëniet Turqi-BE pas takimeve që ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoglu, zhvilloi javën e kaluar në Bruksel me zyrtarët e BE-së. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
