Carovska: Bojkoton vetëm një pjese e nxënësve

25.01.2021 17:55

Nuk ka bojkot të mësimit prej 70% të nxënësve....

Nuk ka bojkot të mësimit prej 70% të nxënësve, por vetëm nga një pjesë e tyre, theksoi ministrja e arsimit, Mila Carovska. Ajo thotë se matura shtetërore është zgjedhore për nxënësit të cilët duan të vazhdojnë arsimin e lartë.

“Këtë mëngjes kisha takim me të gjithë drejtorët e shkollave të mesme dhe nuk ka bojkot 70%, por vetëm një pjesë e nxënësve bojkotojnë mësimin. Me rëndësi është se detyra jonë si ministri e arsimit si dhe e komunave  është të sigurojmë të drejtën e nxënësve  që duan të japin provimin e maturës.”,- deklaroi ministrja e arsimit, Mila Carovska.

Këto komente ministrja Carovska i bërë në promovimin e paravanëve mbrojtës për nxënësit që ndjekin mësimin me prezencë fizike në Sh. F. “Hasan Prishtina”, në komunën e Çairit.

Ganiu: Paravanë mbrojtës në 10 shkolla të Çairit

Kryetari i komunës, Visar Ganiu, bëri të ditur se janë vendosur 1950 paravanë mbrojtës për nxënësit nga klasa e parë deri në të treten në 10 shkolla fillore të kësaj komune.

“Qëllimi të cilin synojmë të arrijmë përmes realizimit të furnizimit të shkollave me këto pajisje është të rrisim nivelin e sigurisë shëndetësore tek fëmijët, duke mundësuar mbrojtje më efikase nga rreziku i infektimit. Furnizimi me këto pajisje inovative kap vlerën prej 560 000 denarëve.”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Kryetari i komunës së Çairit njëherit theksoi se në Sh. F. “Hasan Prishtina” së shpejti do të rinovohet pjesa e nyjeve sanitare. Sipas Ganiut, pritet të bëhet projekti për furnizime publike dhe në momentin që zgjidhet operatori do të fillojnë me punë. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)