Pendarovski: Të mos politizohet procesi
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski...

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, pas konsultave me ekspertë juridik, ka firmosur dekretin e Ligjit për regjistrim të popullsisë. Në njoftimin e Kabinetit të Presidentit thuhet se presidenti pret që procesi i zbatimit të regjistrimit të mos politizohet, kurse të dhënat e marra të jenë në dobi të zhvillimit të përgjithshëm.
BDI: Vendi ka nevojë për regjistrim
Ndërkohë partitë politike këmbëngulin në qëndrimet e tyre rreth ligjit për Regjistrimin e Popullsisë dhe Amvisërive.
“Është më se e duhur që sa më shpejt ta kemi regjistrimin dhe të jetë një regjistrim i kapshëm dhe i pranuar nga të gjithë sepse në këtë mënyrë do t’i shërbejmë shkencës dhe ekonomisë. Sa i përket numrit të shqiptarëve të gjithë indikatorët flasin se shqiptarët duhet të jenë diçka më shumë se në regjistrimin e kaluar. Ne jemi në funksion që të kemi një regjistrim që të jetë i pranuar për të gjithë dhe të faktografohet si është karta e republikës së Maqedonisë.”,- tha Izet Mexhiti nga BDI.
LSDM: Regjistrimi, sipas standardeve europiane
“Regjistrimi tani u është kthyer institucioneve, profesionistëve të Entit Shtetëror të Statistikave. Operacioni do të kryhet nga profesionistë sipas të gjitha standardeve evropiane. Ashtu është e drejtë dhe jo si në të kaluarën. Nëse një organ politik kryen regjistrimin, ai politizohet drejtpërdrejt dhe në fund nuk ka asnjë rezultat. VMRO-DPMNE ndërpreu përpjekjen e fundit për regjistrim dhe shpenzoi miliona euro të parave publike.”,- u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Ligji u miratua pa konsensus
“Ligji për Regjistrim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u miratua pa konsensusin e nevojshëm politik dhe në kundërshtim me të gjitha zotimet e deklaruara nga shumica në pushtet. U shty një ligj i cili, mbi të gjitha, lë një dyshim të fortë në shoqëri se regjistrimi është planifikuar të kryhet si një operacion politik në vend të një operacion statistikor.”,- theksoi Ivanka Vasilevska nga VMRO-DPMNE.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive Maqedonia e Veriut nga 1 prilli deri më 25 prill do të realizojë regjistrimin e popullsisë 19 vite pas regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002. (Naim Ramadani, TVM2)
