Ligji për shtetësi, Rexhepi: Tallje me fatin e njerëzve

25.01.2021 19:02

Tallje me fatin dhe fatkeqësinë e njerëzve....

Tallje me fatin dhe fatkeqësinë e njerëzve. Kështu  e quan Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA zvarritjen e propozim-ligjit për shtetësi. Marrja e shtetësive nuk është në dëm të asnjë komuniteti por është në dobi deklaroi Rexhepi. Sipas tij, teksti i ligjit mund të përmirësohet brenda subjekteve politike në kuvend.

“Është e papranueshme që qeveria që në vazhdimësi të komentojë çështjet rreth propozim-ligjit për shtetësi derisa atë mund ta zgjedhim nëpërmjet subjekteve politike që janë në Kuvend. Le ta thërrasin komisionin, le të ulemi të gjitha subjektet politike, le t’i diskutojmë dallimet dhe ndryshimet dhe në fund ta sjellim një ligj do të ishte në dobi të qytetarëve, jo në dobi të asnjë subjekti politik tjetër.”,- tha Skender Rexhepi nga ASh-AAA.

E në lidhje me deklaratën e kryeministrit Zaev i cili ka thënë se qytetarët mund të marrin tre dëshmitar të rrejshëm, Rexhepi tha se ndoshta ai po flet nga përvoja e tij dhe e partisë së tij.

“Të deklarosh se është shumë lehtë të gjenden tre dëshmitarë të rrejshëm, gjë që e bëri kryeministri dje. Unë do t’u kisha propozuar mediave dhe qytetarëve që t’i besoni kryeministrit se shumë lehtë gjinden tre dëshmitarë, do të deklarojnë për një çështje , nga se ai me siguri flet nga përvoja e vetë ose nga përvoja e subjekti të vet politik.”,- theksoi Rexhepi.

Këto deklarata, sipas Rexhepit, janë të dëmshme për vendin dhe për proceset eurointegruese. (Naim Ramadani, TVM2)