Varianti i ri i virusit, KE propozon kufizime të reja për udhëtim

25.01.2021 19:07

Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të BE-së...

Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të BE-së një paketë të re masash për kufizimin e udhëtimeve, brenda dhe jashtë Unionit me qëllim frenimin e përhapjes së llojit të ri të koronavirusit.

Propozimi që u shpalos sot në mbledhjen e Ministrave e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel përmban koordinim shtesë në dy fusha, atë të përditësimit të kodit të ngjyrave për vendet me rrezik, si dhe masa më të rrepta për udhëtarët që vijnë nga vende me rrezik më të lartë. Me ngjyrën e re - e kuqe e errët - do të shënohen zonat që janë më së shumti të prekura nga koronavirusi, respektivisht vende që kanë infeksione me variantin e ri të koronavirusit.

“Për momentin janë detektuar shumë raste të reja të infektimit te shumë vende anëtare dhe ekziston nevoja urgjente për të parandaluar infektimet që ndërlidhen me udhëtimin  dhe me këtë të ulet ngarkesa mbi sistemin shëndetësor. Si plotësuese të masave të miratuara tetorin e kaluar, Komisioni propozon këto masa: rekomandohet që të ndalen të gjitha udhëtimet e parëndësishme përtej kufijve, por edhe brenda vetë vendeve anëtare.”,- deklaroi komisionari i BE-së për drejtësinë, Didier Reynders.

Për vendet jashtë BE-së, Komisioni rekomandon testim të detyrueshëm para nisjes dhe dorëzimin e një testi jo më të vjetër se 72 orë.

“Komisioni miratoi qasje të re të koordinuar për të gjitha format e udhëtimeve. Testimi do të jetë i detyrueshëm për të gjithë udhëtarët që hyjnë në BE, përfshirë edhe ata që janë në të ashtuquajturat udhëtime të rëndësishme. Testi PCR për hyrje në BE nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë.”,- u shpreh komisionarja për punë të brendshme, Ylva Johanson.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare diskutuan edhe mbi strategjinë e shpërndarjes së vaksinave deri tek vendet e treta, para se gjithash për Ballkanin perëndimor dhe përpjekjet tjera të BE-së për të siguruar një qasje ferr dhe të barabartë deri tek vaksinat anti Covid në nivel global.

Do të koncetrnohemi tek hartimi i një strategjie për menaxhim dhe përballje me pandeminë covid19 tek vendet e treta por dhe tek vendet anëtare e BE-së.”,- theksoi përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme, Josep Borel.

“Do të bisedojmë për strategjinë e shpërndarjes së vaksinave deri tek partnerët e BE-së. Ashtu siç e dini Rumania ka dhënë Mbështetje të plotë për miratimin e një mekanizimi për mbështetje për vendet nga Ballkani perëndimor. Mendoj që është një iniciative e rëndësishme për shkak se BE nuk mund të jetë e shëndosh nëse edhe fqinjët tanë nuk janë të sigurtë.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme të Rumanisë, Bogdan Aurescu.

Çështja me kompaninë “Astra Zeneca” gjithashtu pritet të jetë temë e nxehtë pas njoftimit të kompanisë e cila nuk mund të përmbush marrëveshjen e nënshkruar paraprakisht me BE-në për furnizim me 80 milionë vaksina anti Covid, derisa Italia njoftoi se do të ngre padi ndaj kompanisë.

Vaksina e kompanisë “Astra Zeneca” llogaritet si vaksina kyçe në luftën ndaj pandemisë për shkak të çmimit më të volitshme që ka vaksina në krahasim me kompanitë tjera që gjithashtu kanë prodhuar vaksinën. (Zekirja Mexhiti, TVM2)